10-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka bërë bashkë Presidentin e Republikës, Ilir Meta dhe kreun e qeverisë Edi Rama. Në një ceremoni të zhvilluar në Sheshin “Nënë Tereza”, kryeministri vlerësoi rolin e aleancës për integrimin e rajonit, por nënvizoi se këto vende kërcënohen nga influenca e vendeve të treta.
“Nacionalizmi në rritje, kriza e refugjatëve sirianë, apo emigrantëve në Mesdhe dhe lufta kibernetike, janë rreziqe reale që kërkojnë një përgjigje të përbashkët ku secili ka vendin dhe rolin e vet. NATO duhet të përballet edhe me doktrina agresive, të faktorit të tretë me një shpërfillje të hapur të ligjeve ndërkombëtare. Në mënyrë që paqja e brishtë ende në këtë rajon të mos sfidohet kurrë në të ardhmen dhe në mënyrë që Ballkani të mos jetë më porta përmes së cilës influencat e vendeve të treta arrijnë të depërtojnë deri në zemër të Europës, është e domosdoshme që edhe Kosova të bëhet më herët se vonë pjesë e integruar e aleancës euroatlantike. Shqipëria beson shumë fort se integrimi i Kosovës me ushtrinë e saj kombëtare në familjen euroatlantike është një domosdoshmëri, jo vetëm për Kosovën, thjeshtë dhe as vetëm për Ballkanin, por për të gjithë familjen euroatlantike. Përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO është pa dyshim një vizion strategjik dhe përfshirja e Kosovës në NATO do të ishte një kapital i shtuar, përmes së cilit arkitektura e sigurisë europiane dhe euroatlantike në jug dhe juglindje të kontinentit të marrë një trajtë të plotë dhe të sigurt.”
Për Presidentin Meta forcimi i sigurisë kombëtare dhe bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, mbetet prioritet.
“Forcimi dhe fuqizimi i infrastrukturës së sigurisë tonë kombëtare mbetet një prioritet i padiskutueshëm. Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, emigracionit të paligjshëm dhe sulmeve kibernetike janë kërcënimet reja, të cilat kërkojnë bashkëpunim edhe më të ngushtë midis vendeve tona.”
Ndërsa u tregua më e ashpër dhe drejtpërdrejtë për influencën ruse në Ballkan, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka që thotë se Moska përdori në rajon edhe një grusht shteti për të rrezuar një qeveri legjitime.
“Është përpjekje e mirëmenduar dhe mirëfinacuar duke destabilizuar Ballkanin duke i hapur rrugë penetrimit të aktorëve dhe dobësimin e sigurisë nga ana tjetër. Po përdoren instrumente ekonomike, përdorimi i mediave përmes ‘fake news’ që synon të dobësojnë besimin e qytetarëve tek modeli demokratik, nxitja e tensioneve fetare dhe politike, dhe deri tentativa për të rrëzuar një qeveri legjitime të një vendi kandidat për anëtarësim në NATO përmes një grushti shteti.”
Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO u zhvillua edhe një paradë ushtarake, ku merrnin pjesë atashe ushtarakë, ministra të Mbrojtjes, ambasadorë si dhe përfaqësues nga 29 vendet anëtare të NATO-s. Ndërsa 7 avionë të NATO-s kryen fluturim demonstrues në hapësirën ajrore shqiptare./TvKlan/
A do të largohet Guardiola nga City? Kjo është përgjigja e s...
Bahamas njeh Kosovën, Osmani nënshkruan marrëveshjen diploma...
Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, kërkon nga Them...
Treni godet një automjet afër Drenasit, dy të lënduar
Polonia dhe Ukraina tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë...
KQZ akrediton edhe 276 vëzhgues, prej tyre 15 organizata