Shpërndanin lëndë narkotike tek adoleshentët, arrestohet 17-vjeçari në Vlorë

15:41 | 12 Prill 2026
E.H

Policia ka vënë në pranga një 17-vjeçar pasi në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë, u kap duke shitur lëndë narkotike.

Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë 17-vjeçari D. M., si dhe është proceduar në gjendje të lirë një 16-vjeçar, i cili shoqëronte 17-vjeçarin.

“Vlorë/Goditet një tjetër rast i posedimit të lëndëve narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar edhe në informacionet e siguruara për dy adoleshentë që mund të shpërndanin lëndë narkotike, kanë ushtruar kontrolle në akset kryesore dhe në disa zona të qytetit.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë, u ndaluan dhe u kontrolluan fizikisht dy adoleshentë që ishin të dyshuar si shpërndarës të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit ndaj shtetasit 17-vjeçar, në çantën e tij (marsup) dhe në mbajtësen e kufjeve, u gjetën 10 doza të mbështjella me qese plastike, të dyshuara si lëndë narkotike e llojit kokainë, ndërsa në xhep iu gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit kanabis, e mbështjellë me letër alumini.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë 17-vjeçarin D. M., si dhe proceduan në gjendje të lirë 16-vjeçarin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shpërndaje në rrjete sociale