RENEA konfirmon vendin në elitën botërore, Shqipëria garon me dy ekipe në “SWAT Challenge Dubai 2026”

16:17 | 9 Shkurt 2026
E.G

Njësia elitë e Policisë së Shtetit, RENEA, po përfaqëson Shqipërinë në një nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare të sigurisë, “SWAT Challenge Dubai 2026”. Nga data 7 deri më 11 shkurt, forcat speciale shqiptare po matin aftësitë e tyre me njësitë më të mira taktike nga e gjithë bota.

Kjo është hera e pestë radhazi që Policia e Shtetit merr pjesë në këtë kompeticion prestigjioz, por risia e këtij viti është zgjerimi i përfaqësimit.

RENEA ka zbritur në arenën e Dubait me dy formacione të veçanta, RENEA “A” dhe RENEA “B”, duke synuar rritjen e konkurrencës dhe afirmimin e ngjyrave kuqezi.

Gara e sivjetshme cilësohet si tejet e fortë, me pjesëmarrjen e rreth 109 ekipeve nga 50 shtete të ndryshme. Në ditën e tretë të aktiviteteve, Policia e Shtetit konfirmoi se të dyja ekipet shqiptare kanë demonstruar nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitje fizike intensive, duke u përballur denjësisht me sfidat komplekse taktike.

“UAE SWAT Challenge” shërben jo vetëm si garë, por edhe si platformë për shkëmbimin e teknikave të avancuara dhe procedurave operacionale mes njësive speciale, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit dhe terrorizmit.

/rtsh.al/