Rekord të ardhurash nga turizmi/ BSH: Ekonomia përfitoi 4.4 miliardë euro në 9 muaj

15:08 | 12 Dhjetor 2025
A Z

Ekonomia shqiptare ka përfituar të ardhura rekord nga turistët gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në periudhën janar-shtator tregojnë se shpenzimet e turistëve të huaj rezultojnë 4.42 miliardë euro rreth 560 milionë euro më tepër.

Ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shpenzimet ishin rreth 3.86 miliardë euro.

Të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit u rritën me 22%, dhe faktori kryesor pas këtyre zhvillimeve është rritja e numrit të udhëtarëve, e shoqëruar me një rritje të shpenzimit ditor për udhëtar, ndërsa kohëzgjatja mesatare e qëndrimit ka mbetur e qëndrueshme në raport me një vit më parë.

Gjatë tremujorit të tretë 2025, eksportet e shërbimeve të udhëtimit sollën rreth 2.3 miliardë euro hyrje valutore.

Nga të dhënat zyrtare të Instat rezulton se gjatë periudhës Janar-Shtator në vend kanë hyrë 10.2 milionë shtetas të huaj. Edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë kanë arritur një nivel rekord, në 2.1 miliardë euro, me një rritje prej gati 20% në krahasim me janar-shtator 2024.

Turizmi pritet të jetë një ndër shtyllat kryesore ekonomike në Shqipëri edhe në vitet që vijnë.

Në vlerësimet e institucioneve turizmi pritet që të sjellë në ekonominë shqiptare rreth 6.7 miliardë euro deri në vitin 2030.

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2025-2030, që është dokumenti bazë për orientimin de zhvillimin e sektorit në 5 vitet e ardhshme parashikon që vendi të ketë mbi 477 mijë shtretër deri në 2030 me një rritje prej 76%./abcnews.al