Regjistrimi elektronik zëvendëson vulat e pasaportave, hyn nesër në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrje-Dalje

21:43 | 9 Prill 2026
E.G

Duke filluar nga nesër (10 prill) në 29 vendet e hapësirës Shengen hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian.

Lajmin e bën të ditura, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ku thekson se ky sistem, i cili ka nisur të zbatohet pjesërisht që prej tetorit 2025, do të aplikohet për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, në zonën Shengen.

Qytetarët duhet të kenë parasysh sa vijon:

Në hyrjen e parë pas datës 10 prill 2026, në pikën kufitare do të regjistrohen:

o të dhënat e pasaportës;

o fotografia e fytyrës;

o gjurmët e gishtërinjve.

Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike sjell refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.

Në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore; për këtë arsye, qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim.

Pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike.

Nuk kërkohet aplikim paraprak për EES; regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar.

Sistemi nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit: maksimumi 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rekomandon që qytetarët të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë në konsideratë kohën shtesë të nevojshme për kontrollet kufitare.

Për informacione të mëtejshme, qytetarët mund të konsultojnë faqen zyrtare të Bashkimit Evropian për EES: https://travel-europe.europa.eu/ees

/rtsh.al/