Rama: Shqipëria po kalon një kthesë të madhe ekonomike dhe industriale, me paga më të larta dhe investime në mbrojtje

20:33 | 9 Prill 2025
Q L

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, dhe zv.ministrja e MEK, Olta Manjani, ka prezantuar ditën e sotme strategjinë e punësimit dhe arritjet e sistemit ‘DUAL’, me objektiv zhvillimin e arsimit profesional.

Edi Rama, ka shprehur optimizëm për situatën e punës dhe perspektivat e ekonomisë së vendit, duke theksuar se Shqipëria po kalon një periudhë ndryshimi të madh. Ai e shprehu këtë gjatë një fjalimi, ku theksoi arritjet në industrinë ushtarake dhe mundësitë që do të krijohen për të ardhmen.

Rama nënvizoi se Shqipëria po përjeton një kthesë të madhe, duke qenë në një partneritet të madh me një kompani ndërkombëtare në fushën e industrisë ushtarake, dhe se ky partneritet do të sillte miliona investime në sektorin e mbrojtjes.

“Dua të them disa gjëra kyçe lidhur me situatën e punës dhe me perspektivën që në këndvështrimin tim është shumë optimist por mbi të gjitha mbi faktin që sot Shqipëria po përjeton një kthesë për të cilën jemi përpjekur për një kohë të gjatë. Jemi duke punuar me një partneritet më të madh në botë në fushën e industrisë ushtarake dhe besoj që kemi arritur ta kurorëzojmë këtë partneritet dhe do të bëhet publik së shpejti duke sjellë në Shqipëri miliona investime në industrinë ushtarake të cilën ne po e krijojmë nga e para pas periudhash të vështira dhe do ta bëj Shqipërinë me prodhime “Made in Albania” duke transportuar makina ushtarake te gjeneratës së fundit. Janë një sërë iniciativa të tjera në fushën e industrisë ushtarake që janë në proces dhe jam optimist që do të materializohen njëra pas tjetrës të cilat do na japin mundësinë jo vetëm të prodhojmë për Forcat tona të armatosura por edhe duke krijuar një front të ri punësimi për vajza dhe djem të edukuar në profesionet e nevojshme që të kenë paga shumë të larta”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama theksoi arritjet ekonomike të Shqipërisë, duke përmendur se pagat mesatare kanë arritur në 830 euro, nga 332 euro kur qeveria e tij mori detyrën. Ai theksoi gjithashtu se prodhimi kombëtar është rritur nga nën 10 miliardë euro në mbi 25 miliardë euro. Papunësia ka rënë në 8.8%, dhe Rama synon të arrijë nivelin e papunësisë në 6% deri në vitin 2030.

“Sot në Shqipëri kemi një pagë mesatare 830 euro dhe jemi nisur me një pagë mesatare 332 euro dhe është ndryshim i madh. Në Shqipëri mund të ketë paga më të mira se në Greqi, por nëse shohim rritjen e prodhimit të përgjithshëm kur ne kemi marrë detyrën kemi pasur një prodhim të përgjithshëm nën 10 miliardë euro dhe sot e kemi prodhimin e përgjithshëm shqiptar në afro 25 miliardë euro. Ky prodhim kombëtar është rritur nga kompanitë dhe nga puna dhe sot ne kemi nivelin më të ulët të papunësisë me 8.8 % dhe shumëkush ironizon dhe thotë: “po se ka rënë popullsia” ndërkohë nuk ka lidhje sepse matja e nivelit të papunësisë është raport i forcave të punës dhe në këtë raport ne kemi një përgjysmim të nivelit të papunësisë dhe ambicia jonë është që në 2030 ne të kemi një papunësi në 6% që është norma mesatare normale e BE-së”, u shpreh kryeministri./rtsh

Të ngjashme