Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar hetimin që SPAK ka nisur ndaj AKSHI-t lidhur me përdorimin e fondeve për transformimin digjital të sektorit publik.
Rama theksoi se AKSHI, nën drejtimin e Lindës Karçanaj, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shërbimeve digjitale për qytetarët dhe përmirësimin e administratës publike.
Gjatë podcast “Flasim”, Rama theksoi se Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm në raportin e Bankës Botërore për qeverisjen digjitale, duke kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të në botë, një ngritje e ndjeshme që është pasqyrë e punës së palodhur të ekipit të AKSHI-t.
“Banka Botërore ka publikuar GovTech Maturity Index 2025, ose e thënë shqip, raportin që njëherë në 2-3 vite vlerëson 197 vende të botës për nivelin e transformimit digjital të sektorit publik. E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën një masë sigurie me një akuze te hatashme, për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj ciladoqoftë ajo. Por unë di po ashtu, që falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale”, tha Rama.
Rama shtoi se, edhe pse AKSHI është nën hetim, kjo nuk ndikon aspak në vlerësimin objektiv të Bankës Botërore, e cila ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në katër fusha kryesore: shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve, sistemet bazë qeveritare dhe faktorët ligjorë dhe institucionalë.
“Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë, ku kemi 0.939 pikë nga 1 që është maksimumi, por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se hetimi nga SPAK dhe polemikat mediatike e politike nuk mund të fshijnë rezultatet e arritura nga AKSHI dhe se çdo vërtetim i shkeljeve do të vendoset nga drejtësia. Ai gjithashtu theksoi se zhurma e madhe mediatike që po shoqëron këtë hetim është një përpjekje për të diskredituar punën e AKSHI-t, e cila ka kontribuar në një transformim historik digjital të administratës publike të Shqipërisë.
“Ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqesor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t, që mund ta verifikoni lehtësisht përmes linkut të raportit”, tha Rama.
SPAK ka nisur një hetim në lidhje me dyshime për abuzime me tenderat e AKSHI. Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka vendosur arrest shtëpie për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirilda Karçanajt dhe zv.drejtoreshën Hava Delibashin, arrest në burg për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. Po ashtu është vendosur pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit për zv.drejtorin e policisë Tiranë, Erion Ismaili, ndërsa për Andis Papën, Gëzim Hoxhën, Rogers Rrytën është caktuar masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.
Sipas SPAK, këta persona dyshohen se kanë favorizuar disa kompani kundrejt disa të tjerave për përfitimin e tenderave./rtsh.al/
U.D. i Ministrit të Drejtësisë, voton dhe fton qytetarët të ...
KQZ konfirmon për gjashtë komuna që kanë mungesë të energjis...
Ramiz Lladrovci voton me familjen: Besoj fort se këto zgjedh...
Glauk Konjufca ushtron të drejtën e votës
Mbi 160 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 11:00
Votimi i organizuar në veri, Elshani: Jemi në kontakt me KQZ...