Rama: Shembja e objekteve të paligjshme nuk ndalet

21:40 | 25 Gusht 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se “shembja e objekteve të paligjshme, e cila ka nisur kudo, nuk është një aksion, po një proces që jo vetëm s’do të ndalet deri në eliminimin e këtij fenomeni, por edhe do të shoqërohet ditët në vijim me paketën e re të masave për tkurrjen e këtij fenomeni”.

Kryeministri siguroi se do të rritet forca goditëse e ligjit mbi fajtorët dhe personat përgjegjës të nivele të ndryshme, përfshirë edhe “symbyllurit” në inspektoriate, polici e me radhë.

Rama ndau pamje nga prishja e ndërtimeve pa leje në Kepin e Rodonit në Durrës, ku IKMT po ndërhyn sot për prishjen e 66 godinave.

“Këto pamje janë nga operacioni i nisur sot në Kepin e Rodonit, Bashkia Durrës, ku një tjetër mrekulli e natyrës është abuzuar për qëllime fitimi nga ndërtime të paligjshme”, u shpreh Rama.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijon prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë zonave bregdetare dhe atyre të mbrojtura.

Aktualisht IKMT ka nisur shembjen e objekteve të paligjshme në Kepin e Rodonit, njësia Administrative Ishëm, Bashkia Durrës, ku janë evidentuar 66 ndërtime pa leje./atsh