Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar sërish të enjten se procesi i lirimit të hapësirave publike nga strukturat e paligjshme të bizneseve nuk është një aksion i zakonshëm, por pjesë e një plani afatgjatë të qeverisë, të njohur si “Rilindja Urbane 2.0”. Ky program katërvjeçar ka nisur që në korrik dhe synon të transformojë hapësirat e zaptuara në mjedise cilësore për komunitetin.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga çmontimi i një tjetër strukture metalike, duke theksuar se ky proces nuk do të ndalet.
“Disa e vonojnë çmontimin vullnetar me idenë e gabuar se ‘aksioni do mbarojë’, por ky nuk është një aksion,” shpjegoi ai.
“Ky program nuk mbaron me këto çmontime, po vazhdon me rehabilitimin e me transformimin e hapësirave publike në hapësira cilësore bashkëjetese komunitare.”
Kryeministri u dërgoi një mesazh të qartë bizneseve që vazhdojnë të shfrytëzojnë hapësira publike në mënyrë të paligjshme. Ai theksoi se ata që nuk veprojnë me dëshirë, jo vetëm që do t’u hiqen strukturat, por do të përballen edhe me gjoba.
“Kush nuk e heq më mirë vetë atë që ka bërë, në fund do ta heqë po bashkë me një gjobë,” paralajmëroi Rama.
Ky program, sipas Kryeministrit, është i domosdoshëm për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe funksionalitetin e bizneseve, duke i përshtatur ato me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit, jo vetëm në zonat turistike, por në të gjithë Shqipërinë.
Rregullorja e re kombëtare
Në kuadër të “Rilindjes Urbane 2.0”, qeveria po punon gjithashtu për hartimin e një Rregulloreje Kombëtare të re. Kjo rregullore pritet të përcaktojë me ligj hapësirat që mund të shfrytëzohen nga bizneset, duke vendosur rregulla të qarta dhe të zbatueshme për të gjithë. Ky angazhim i qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor do të vijojë me fokus mbrojtjen e cilësisë së jetës në komunitet.
/rtsh.al/
Sulm në aeroportin Heathrow në Londër, arrestohet një person...
Pas dy vitesh luftë ndizet sërish Pema e Krishtlindjes në Be...
Këndohet kënga e Shpat Kasapit, bëhet viral reagimi i banori...
Londrimi këshillon Labin për lojë: Mos i beso askujt këtu
Zhegrova është 100 përqind i gatshëm, pritet të ketë më shum...
Polonia i jep fund prodhimit të veshjeve prej gëzofi