Rama: Kemi sulme të vazhdueshme kibernetike por mbrojtja është bërë shumë e fortë

21:06 | 28 Janar 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka investuar për forcimin e sigurisë kibernetike dhe se tashmë është e vështirë të sulmohet.

Në podkastin me studente të Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, Rama tha se lufta kibernetike do të sofistikohet dhe duhen investime për t’u mbrojtur.

“Për sigurinë kibernetike kemi bërë goxha punë pas sulmit shumë të egër që patëm nga një fuqi e madhe në fushën e luftës kibernetike. Kemi marrë e vënë në dispozicion të shtetit instrumente shumë të sofistikuara falë partnerëve tanë dhe besoj se jemi në një pozicion shumë më të fortë sesa kemi qenë, dhe besoj se është shumë e vështirë të sulmohemi”, deklaroi Rama.

Rama duke folur për investimin më të fundit për sigurinë kibernetike, tha se lufta kibernetike është vetëm në fillimet e saj dhe do të vazhdojë të ashpërsohet. Ai theksoi nevojën e shtimit të investimeve në mbrojtjen kibernetike, pasi dhe mjetet e sulmit sofistikohen çdo ditë.

“Sulme kibernetike ka çdo ditë. Edhe ne kemi sulme të vazhdueshme nga të katër anët, por fakti që nuk ndodh gjë vjen si rezultat se mbrojtja është bërë shumë e fortë. Gjithmonë duhet vigjilencë dhe nuk duhet menduar se nuk të sulmojnë dot, pasi nga ana tjetër edhe mjetet e sulmit sofistikohen çdo ditë.”

Rama tha se në Shqipëri nuk ka interesa aq të mëdha sa të jetë në fokus të sulmeve të egra kibernetike, por vendi duhet të jetë në gjendje t’i zmbrapsë mundësisht plotësisht.

“Ne duhet të jemi në gjendje për aq sa na takon. Nuk kemi në këtë vend interesa të mëdha që të mund të tërheqim të gjithë llojet e egërsirave të kësaj hapësire të padukshme, por duhet të jemi në gjendje t’i zmbrapsim, mundësisht plotësisht. Amerika, me një mbrojtje kibernetike të lartë dhe në mënyrë të vazhdueshme ka goditje që arrijnë ta prekin, t’i bëjnë dëm në infrastrukturën publike apo private”, tha ai./atsh.al

Të ngjashme