Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria ka nisur një analizë të thelluar mbi, atë që e cilësoi si “shenjat shqetësuese” të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri.
Ai pohoi se kjo analizë vjen pas dy zhvillimeve që i cilësoi si kulminacione të forta: pezullimin nga detyra të z.kryeministres Belinda Balluku me vendim të shkallës së parë dhe tentativën e magjistratëve për të rritur pagat e tyre, duke e quajtur këtë veprim absurd.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri iu referua edhe një raporti të ekspertëve të Këshillit të Europës, i cili analizon përdorimin e paraburgimit në Shqipëri. Sipas Ramës, raporti evidenton një rekord negativ absolut, duke e renditur Shqipërinë në pozicionin më të keq në Europë për numrin dhe mënyrën e përdorimit të paraburgimit, me diferencë të theksuar nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian.
Rama renditi disa nga gjetjet kryesore të raportit, duke theksuar se gjykatat shqiptare përdorin në mënyrë të tepruar paraburgimin dhe e zgjasin atë pa arsyetim të individualizuar dhe pa vlerësuar domosdoshmërinë apo proporcionalitetin e masës.
“Siç e kam përmendur disa ditë më parë kemi nisur analizën e thelluar të shenjave shqetësuese të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, pas dy kulminacioneve shumë të forta: Pezullimi antidemokratik i një anëtari qeverie nga një prokuror e gjykatës me një vendim të shkallës së parë dhe tentativa e magjistratëve, gjykatës dhe prokurorë bashkë të Shqipërisë për të rritur vetë pagat e tyre, duke shqyer arkën e shtetit. Vetë Ali dhe vetë Kadi.
Mes të tjerash këto dite, kam rilexuar një raport të para disa kohësh, shkruar nga ekspertë të Këshillit të Evropës mbi përdorimin brutal dhe masiv të paraburgimit në Shqipëri – një rekord negativ absolut i drejtësisë shqiptare, e cila e ka vendosur Shqipërinë në pozicionin më të keq në Europë, por jo thjeshtë në fund, por me dallim të frikshëm nga rajoni dhe nga pjesa tjetër e Europës, po se po.
Më lini të ndaj me ju disa pika kyçe të këtij raporti:
Së pari: Përdorim i tepruar dhe kohëzgjatje e pajustifikuar e paraburgimit
Shqipëria mban një nivel jashtëzakonisht të lartë të personave në paraburgim, me shifra që janë dukshëm shumë larg praktikave të vendeve të BE-së. Gjykatat e zgjasin rëndom masën e paraburgimit, pa asnjë arsyetim të individualizuar dhe pa treguar se vazhdimi i kësaj mase mbetet në mënyrë strikte i domosdoshëm dhe proporcional.
Së dyti: Cilësia e arsyetimit gjyqësor dhe kontrollit le shumë për të dëshiruar
Vendimet për paraburgim shpesh bazohen në nocione të paqarta ligjore (“arsye të rëndësishme”, “rrezik i veçantë”) dhe gjykatat kanë tendencën të përdorin formula standarde, pa bërë një vlerësim të mirëfilltë të çështjes. Raporti thekson kulturën e mangët të arsyetimit të thelluar.
Së treti: Mungesë dhe zbatim i paqëndrueshëm i masave alternative ndaj paraburgimit
Gjykatësit kanë tendencën ta trajtojnë paraburgimin si opsionin e parë, atë të shumëdëshiruarin dhe jo si mjetin e fundit, duke i shpërfillur rëndom masat e tjera dhe shtoj, duke i mbushur burgjet me më shumë persona të padënuar se sa të dënuar, çka e bën Shqipërinë, një vend krejtësisht original në brutalitetin e vet.
Së katërti: Mosgarantimi i të drejtës së mbrojtjes
Korniza aktuale ende nuk garanton plotësisht aksesin efektiv te avokatit që në fazat më të hershme të procedimit. Disponimi i materialeve të çështjes mund të vonohet, dhe mungon regjistrimi sistematik audio/video i marrjes në pyetje. Gjithë këto para, gjithë këto fonde të dhëna në mbështetje të reformës në drejtësi dhe të institucioneve të drejtësisë dhe sot e gjithë ditën merren në pyetje njerëzit pa video, pa audio. Pikëpyetje shumë e madhe kjo. Dhe kjo – thotë raporti – e dobëson aftësinë e mbrojtjes për të sfiduar ligjshmërinë e paraburgimit dhe përmbajtjen e akuzës.
E së fundi – nga pikat që unë kam nxjerrë, raporti është rrëqethës, po të kesh parasysh që është shkruar edhe me gjuhën shumë diplomatike të Këshillit të Europës – Dimensioni strukturor dhe kulturor
Edhe pse korniza ligjore shqiptare është në përputhje të përgjithshme, përgjithsisht me standardet evropiane në letër, vazhdojnë të jenë të pranishme prirjet për të supozuar nevojën për paraburgim, në vend të supozimit në favor të lirisë, dhe mungon praktika e zbatimit të masave proporcionale dhe të arsyetuara në mënyrë individuale. Kërkohet një ndryshim strategjik – përfshirë përcaktime më të qarta ligjore, kontroll më i fortë nga gjykatat e apelit dhe një sistem funksional i masave alternative.
Kalojmë tek shënimi tjetër. Do të kemi shumë kohë përpara për të folur për të gjitha këto”, tha Rama.
LVV sot mban tubim në Hajvali, merr pjesë Kurti
Kurti: Në mandatin e ardhshëm do të ndajmë të paktën 1 milia...
Sulm me armë zjarri në Afrikën e Jugut, të paktën dhjetë vik...
Zgjedhja e Endrit Shabani si Avokat i Popullit, Rama: E zgjo...
Dy raste të veprimtarive të kundërligjshme në një lokal në S...
“Mos lëshoni Pe”, Kusari-Lila ndan mesazhin që m...