Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka vizituar Panairin e Punës në ditën e tretë dhe të fundit të tij. Rama ka thënë se në dy ditët e para janë lidhur 800 kontakte apo vende pune kryesisht për të rinjtë, çka tregon se ky panair është real dhe jo siç pretendon opozita e cila është shprehur se kjo është një shfaqje elektorale.
Kryeministri pranoi se Shqipëria dhe shumë vende të tjera të rajonit vuajnë nga papunësia e lartë por se ky problem është i pranishëm kudo. Rëndësi sipas Ramës ka drejtimi i duhur që Shqipëria ka nisur.
“Kam dëgjuar këto ditë që sapo u lajmërua çelja e Panairit të Punës, filloi kori i kukuvajkave që është një shfaqje elektorale, bëhet për fushatë. Vetëm në dy ditët e para janë ndërmjetësuar në këtë panairi mbi 800 kontakte dhe janë mbi 800 persona që do të fillojnë punë, ndërkohë që në këtë panair siç është lajmëruar duke marrë një për një të gjitha dëshmitë e kompanive janë në dispozicion 5500 vende të reja pune. Shqipëria është larg së qeni vendi ku papunësia është një problem i zgjidhur. Shqipëria është një vend me një popullsi të lartë, rajoni është një vend me një popullsi të lartë, dhe papunësia sot sidomos papunësia e të rinjve është një plagë e hapur edhe në shumë nga vendet e Bashkimit Evropian mjafton të shikojmë fqinjin tonë Itali,” tha Rama.
Gjatë vizitës që bëri në këtë panair Rama i është përgjigjur edhe kritikave të bëra së fundmi nga deputeti Ben Blushi, për një rilindje të dështuar.
Rama nuk e ka përmendur emrin e Blushit, por në mënyrë indirekte i tha se rilindja dhe reformat nuk vijnë menjëherë dhe se kush shpif, gënjen e mashtron shqiptarët, duke përfituar nga hallet dhe dëshpërimi i tyre, po bën një politikë të ulët.
“Pa asnjë dyshim Shqipëria sot është një vend që ende nuk ofron mundësi të barabarta për të gjithë, që ende nuk ofron punësim real për të gjithë që ende nuk ofron shpresë dhe entuziazëm për të gjithë, por Shqipëria sot po merr kthesën e duhur dhe pa as më të voglin dyshim Shqipëria është në rrugën e rilindjes. Po kush ka menduar; kush ka besuar; kush ka imagjinuar gabimisht se Shqipëria e rilindur ishte një punë e lehtë, ka parë një gjë që nuk ekziston. Kush përpiqet e thotë se ku i keni këto, ku i keni ato, ku e keni këtë e atë, dhe mundohet që duke shfrytëzuar problemet dhe hallet reale dhe edhe një dëshpërim që është real në shumë njerëz; të bëjë politikën e llojit më të ulët; shpif; shpif; shpif se me siguri diçka do të mbetet; hidh baltë; hidh baltë; hidh baltë se me siguri dëshpërimi do të shtohet dhe gënje; gënje; gënje; se me siguri do gjenden njerëz që do ta hanë gënjeshtrën tënde,” tha më tej Rama.
Ditët e fundit mes Ben Blushit dhe Edi Ramës ka nisur një debat në distancë. Blushi një nga deputetët më të vjetër të së majtës nuk pajtohet me qeverisjen e kryeministrit Rama, që sipas tij ka rritur varfërinë, dhe po i detyron njerëzit të kërkojnë azil./arbresh.info/
Sot nis fushata e katërt zgjedhore për vitin 2025, Elezi tre...
Presidenti Trump urdhëron bllokadë totale të cisternave të n...
Në Bruksel mbahet sot Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Osmani ...
Sot përurohet akseleratori i ri dhe bunkeri në Onkologji të ...
Ura për këmbësorë mbi lumin Ibër sot lëshohet për qarkullim
Vazhdon gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë