Rama bashkëbisedim me të rinjtë: Hyrja në BE nuk është vetëm formalitet, por ndryshim thelbësor i statusit të Shqipërisë

08:32 | 2 Prill 2026
E.K

Në një bashkëbisedim të zhvilluar me të reja dhe të rinj studentë mbi ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e integrimit për të rinjtë dhe për ndryshimin që kjo do të sjellë në jetën e tyre.

Rama u shpreh se hyrja e Shqipërisë në BE nuk është vetëm një formalitet politik, por një transformim i thellë i statusit të vendit dhe i mundësive për qytetarët.

“Me anëtarësimin në BE, ndryshon krejtësisht, ju jeni vendas si këtu në Tiranë, si një auditor në Lisbon apo Varshavë. Por jeni vendas dhe për këtë arsye nuk paguani më shumë se vendasit, nuk keni vështirësi më shumë për të pasur akses në shërbime se sa kanë studentët vendas e pastaj nuk jeni të huaj kur vjen fjala për tregun e punës dhe mund ta zgjidhni punën jo më brenda kufijve të Tiranës e Shqipërisë, por mund të kërkoni punën në ccdo qytet të Europës si vendas.

Kjo është një përpjekje që ka impakt të drejtpërdrejtë për gjithsecilin prej jush” tha Rama.

Ai shtoi se integrimi në BE ka një impakt të drejtpërdrejtë për secilin student. “Sa më shumë ta ndjekësh këtë proces, aq më shumë mëson se sa larg është një vend që nuk është brenda BE-së. Kjo është një përpjekje që ka impakt të drejtpërdrejtë për ju”, shtoi ai.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu se përfitimet nuk kufizohen thjesht tek lëvizja e lirë apo mundësitë e punës. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një kapërcim formal të një statusi të vendit, por për një ndryshim thelbësor të pozicionit dhe të raporteve mes vendit dhe popullit shqiptar dhe vendit e popujve të tjerë europianë.

“Sa shumë gjëra vijnë këtu për universitetin, auditorët, për ju. Duke qenë vendas, jo thjesht të Shqipërisë, por të BE-së, fitoni qasje në programe, financime dhe mundësi të tjera. Nuk bëhet fjalë për një kapërcim formal të statusit të vendit, por për një ndryshim thelbësor të pozicionit dhe të raporteve mes vendit dhe popullit shqiptar dhe vendit e popujve të tjerë europianë”, përfundoi ai.