Kryeministri i Shqipris, Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste solli sot në vëmendje përfitimet që do të ketë vendi nga anëtarësimi në Bashkimin Europian, të cilat siç tha ai, përkthehen në më shumë fonde për zhvillimin e infrastrukturës, bujqësisë apo në arsim.
Në takimin e zhvilluar sot me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 të Tiranës, Rama u ndal te procesi i integrimit europian, ndërsa renditi përfitimet e vendit nga anëtarësimi në Bashkimin Europian.
“Nëse ne kemi bërë të gjitha këto vepra infrastrukturore, me anëtarësimin në BE mundësitë për të zhvilluar infrastrukturën shumëfishohen sa hap e mbyll sytë. Nëse kemi bërë çmos për bujqit e fermerët, mundësitë për ta shumëfishohen nëse hyjmë në BE”, tha Rama.
Rama tha se nëse ne duhet të kapim trenin e zhvillimit dhe t’i kemi universitetet tona të të njëjtit nivel me ato të BE-së është e pamundur nëse nuk futemi në BE.
“E njëjta gjë vlen për të gjitha fushat. Fondet e BE-së janë të pagjetshme dhe të pasigurueshme askund tjetër nëse nuk je anëtar i asaj familjeje. Është njësoj si të hysh nuse apo dhëndër në një familje shumë të madhe pasi ke qenë jetim. Ky është 11 maji për fëmijët tanë dhe të gjithë ata që janë ende sot aktivë, sepse na duhet viti 2026 dhe viti 2027 për të mbyllur negociatat dhe për të futur Shqipërinë në BE. Në momentin që bëhet ratifikimi i parë mund të shkojmë te çdo monument dhe t’i themi: U bë kjo punë”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se është e papranueshme t’i kemi fëmijët e këtij vendi me statusin aktual dhe jo atë të qytetarëve europianë.
Ndaj sipas tij, “zgjedhjet e 11 majit janë historike për Shqipërinë, pasi PS duhet ta përmbushë këtë mision”.
“Ky mision është pa asnjë ekzagjerim ngritja e dytë e flamurit kombëtar. Herën e parë u ngrit për t’u pavarësuar e bërë shtet më vete, këtë herë na jepet ne mundësia që ta ngremë flamurin për t’u bashkuar njëherë e mirë me Europën nga e cila na mbajtën të ndarë shekujt”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, do t’i japë njëherë e mirë të gjithë brezave të ardhshëm disa garanci që përndryshe nuk ia jep dot askush përveçse në BE.
“Këto janë: liria individuale e panegociueshme dhe e paprekshme, sundimi i ligjit dhe barazia e të gjithëve para ligjit dhe standardet demokratike të bashkëjetesës. Këto vetëm në BE janë të garantuara. BE ka dy kategori vendesh: vendet kontribuese më të zhvilluara e të pasura që paguajnë për të tjerët dhe vendet përfituese, që janë vendet e reja që marrin nga arka e përbashkët që të avancojnë e të bëhen si të tjerët”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se BE është një familje shtetesh dhe kjo është arsyeja pse vendet që kanë hyrë pas komunizmit janë sot më të zhvilluara.
Rama tha se për herë të parë në historinë tonë na është hapur një dritare e një mundësie që deri jo shumë vite më parë, dukej komplet e pamundur, mundësia që brenda pak më shumë sesa dy viteve, të mbyllim gjithë procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
“Faktikisht të hapim derën për të hyrë në familjen europiane dhe pastaj në 2028 dhe 2029, të marrim nga të gjithë parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, janë 27, aprovimin si anëtar të rinj të familjes europiane. Kjo është ngritja e dytë e flamurit të Shqipërisë, mbas asaj të 1912. Nëse Shqipëria sot, nuk do kishte shumë e shumë gjëra më mirë se dje, kurrë nuk hapej dritarja”, shtoi ai.
Nisin negociatat për një marrëveshje dypalëshe mes SHBA-së d...
Alban Hyseni bën betimin si kryetar i Gjilanit: Do t’i shërb...
Liderët fetarë nënshkruan deklaratë kundër dhunës gjinore, a...
Sylvinho: Arritje historike – kualifikimi në ‘play-off...
Ramiz Lladrovci betohet për herë të katërt si kryetar i Dren...
U pajtuan? Dafina kështu e uron Labin në 25-vjetorin e karri...