Qeveria shqiptare bën gati Udhërrëfyesin 2026-2030

23:23 | 7 Prill 2026
R J

Qeveria shqiptare ka përgatitur një projektvendim të ri që synon të orientojë politikat e vendit drejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) për periudhën 2026-2030. Dokumenti, i propozuar nga Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, shërben si një “Udhërrëfyes” që harmonizon Agjendën 2030 të Kombeve të Bashkuara me prioritetet kombëtare dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Sipas relacionit shoqërues, ky dokument vjen si nevojë për t’i dhënë fund fragmentarizimit të politikave publike, duke krijuar një kornizë të vetme ku planet e zhvillimit kombëtar të mos mbivendosen, por të plotësojnë njëri-tjetrin.

Pikat kryesore të Udhërrëfyesit 2026-2030

Qasje e integruar strategjike

Plani, sipas dokumentit, përafron ngushtësisht politikat e zhvillimit të qëndrueshëm (OZHQ) me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian (SKZHIE) 2022-2030, duke e kthyer integrimin në BE dhe zhvillimin e brendshëm në një proces të vetëm.

Prioritetet kyçe

Ndërhyrjet kryesore do të fokusohen te digjitalizimi, forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit, tranzicioni i gjelbër, bujqësia e qëndrueshme, turizmi, mbrojtja sociale dhe rritja e kapitalit njerëzor.

Sfidat me të dhënat dhe statistikat

Relacioni thekson hapur sfidat aktuale të vendit lidhur me disponueshmërinë dhe cilësinë e të dhënave për të matur treguesit e OZHQ-ve. Për këtë arsye, parashikohet një rol kyç i INSTAT për të ndërtuar mekanizma të rinj monitorimi dhe raportimi të besueshëm.

Koordinimi institucional

I gjithë procesi do të koordinohet nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), e cila do të bashkëpunojë me ministritë e linjës për të ndjekur zbatimin e masave dhe për të mbajtur institucionet llogaridhënëse.

Asnjë kosto shtesë për buxhetin

Zbatimi i këtij udhërrëfyesi nuk parashikon efekte financiare shtesë nga buxheti i shtetit. Objektivat do të mbulohen nga planifikimi aktual buxhetor si dhe nga instrumentet financiare të partnerëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë te programet mbështetëse të Bashkimit Evropian (programet IPA) dhe iniciativat rajonale.

Hartimi i këtij udhërrëfyesi vjen pas ngritjes së Komitetit Ndërministror për Arritjen e OZHQ-ve në vitin 2023, duke shënuar hapin e radhës në institucionalizimin e reformave afatgjata të vendit.

Për çdo objektiv, dokumenti përcakton:
1- Synimet kombëtare deri në vitin 2030, të përkthyera nga objektivat globale në
rezultate konkrete për Shqipërinë;
2- Treguesit e matjes, të përafruar me standardet ndërkombëtare dhe të integruar
me indikatorët e SKZHIE 2030;
3- Lidhjet ndërsektoriale, që tregojnë mënyrën se si përmbushja e një objektivi
ndikon në përparimin e të tjerëve, duke nxitur sinergji dhe bashkërendim
politikash.
Nëpërmjet tij, Shqipëria:
1- Përcakton objektivat e matshëm kombëtarë për secilin prej 17 OZHQ-ve;
2- Harmonizon treguesit e zhvillimit kombëtar me metodologjinë e Kombeve të
Bashkuara dhe me standardet e Bashkimit Evropian;
3- Vendos një bazë për monitorim dhe raportim periodik të progresit kombëtar;
4- Orientohet drejt politikave publike të bazuara në evidencë, duke forcuar
lidhjen ndërmjet planifikimit strategjik, buxhetimit dhe vlerësimit të ndikimit./rtsh.al

Shpërndaje në rrjete sociale