Pezullimi nga Amerika, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Hap shqetësues – rrezikon destabilizimin e rajonit

09:01 | 16 Shtator 2025
R J

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka shprehur shqetësim të thellë për vendimin e Shteteve të Bashkuara për të pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën.

Sipas këtij këshilli, ky veprim rrezikon të minojë një nga partnerët më besnikë të Amerikës, ndërsa sipas KASH-it shpërblen Serbinë, një shtet që po rreshtohet hapur me Kinën, Rusinë dhe Iranin.

“Kosova është ndër kombet më pro-amerikane në botë, me një angazhim të padiskutueshëm për paqen, demokracinë dhe vlerat euroatlantike. Pezullimi i dialogut me Prishtinën, ndërkohë që hap një dialog me Beogradin, dërgon një mesazh shqetësues dhe rrezikon destabilizimin e rajonit duke inkurajuar ndërhyrjen e Serbisë përmes Listës Serbe”.

Sipas Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Kosova ka nevojë për mbështetje në forcimin e institucioneve të saj, jo për presion që mund t’i paralizojë ato.

“Bashkëpunimi strategjik SHBA-Kosovë është jetik për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në Evropë.Kosova duhet të bëjë përpjekje për të dalë nga BE-ja dhe tani nga sanksionet e SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur, duke ndryshuar sjelljen e saj politike dhe duke vlerësuar siç duhet rolin jetik të mbështetjes perëndimore për zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve të saj demokratike, sigurinë e saj dhe prosperitetin e popullit”.

“Ndërhyrjet e Beogradit në Kosovë përmes subjekteve politike serbe duhet të sfidohen në koordinim të plotë me SHBA-në dhe BE-në, dhe brenda normave kushtetuese. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si fituesi i parë i zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe aktorëve të tjerë politikë në Kosovë, që të gjejnë terren të përbashkët për interesat madhore të shtetit dhe të kombit, dhe të rifillojnë dialogun me SHBA-në për të forcuar marrëdhëniet në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë”.

“Po kështu, subjektet politike në Kosovë duhet të përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, për të arritur një marrëveshje përfundimtare që do të çonte në njohje të ndërsjellë midis dy shteteve”, theksohet në reagimin e këtij Këshilli.