Parlamenti nis me debate

09:31 | 3 Shtator 2019

Sesioni i ri parlamentar ka nisur ditën e djeshme me debate ku deputetja e opozitës Rudina Hajdari ka kërkuar largimin nga Komisioni i Reformës Zgjedhore të Damian Gjiknurit.

Fjalën hapëse e mbajti kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i cili theksoi se Kuvendi i ka shpëtuar kaosit dhe anarkisë dhe arriti ta mbroj sistemin demokratik. Kreu i Kuvendit i dërgoi një mesazh edhe opozitës, ku u shpreh se dora e mazhorancës ka qenë dhe është e shtrirë ndaj opozitës, si brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë saj.

Gramoz Ruçi ka dhënë lajmërimin se reforma zgjedhore do të përmbyllet shumë shpejt dhe se procesi drejt integrimit evropian po përparon. Ndërkohë deputetja Rudina Hajdari sulmoi opozitën pasi sipas saj e gjithë kriza politike është rezultat i marrëveshjes Basha-Kryemadhi, çfarë ka shpënë në ngritjen e perandorisë Rama.

“Kush është fajtor për këtë situatë që erdhi si pasojë e 25 qershorit, kush e bëri Edi Ramën perandor? Kjo ishte një marrëveshje tjetër midis Bashës dhe Monika Kryemadhit, sepse kërkuan që ta bënin Ramën perandor, të riinstalonte diktaturën në vend. Përballë kësaj qeverie skandaloze dhe kësaj marrëveshjeje që instaloi këtë regjim, opozita duhet të qëndrojë në parlament, është e vetmja rrugë e drejtë. Duhet të vazhdojmë të mbështesim reformën në drejtësi, po zvarritet pa fund nga Partia Socialiste dhe po atakohet nga partitë e tjera”, u shpreh ajo.

Deputetja Hajdari ka vlerësuar edhe rëndësinë e reformës zgjedhore, ku shtoi se Kuvendi arriti të ishte produktiv edhe pas djegies së mandateve.

“Duhet të mbyllim reformën zgjedhore, që shqiptarët t’u japim zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në javët në vijim do të organizojmë një tryezë për të ndarë shqetësimet në lidhje me sistemin zgjedhor. Do kushtojmë vëmendje edhe për votën e diasporës”, ka theksuar Hajdari. /Sot

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara