Në vitin 2025, Shqipëria priti 12.47 milionë vizitorë

13:35 | 3 Shkurt 2026
E.G

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka prezantuar prioritetet për vitin 2026, duke përfshirë rritjen e mikpritjes, promovimin e Shqipërisë, mirëmbajtjen e pasurive publike dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Gjatë një konference me gazetarët, Gonxhja theksoi se rritja e imazhit të Shqipërisë ndërkombëtarisht është një nga themelet kryesorë të përpjekjeve të qeverisë për këtë periudhë. Ai shtoi se një nga objektivat kryesorë është ekonomizimi i burimeve, menaxhimi efikas i fondeve, dhe maksimizimi i shërbimeve në mënyrë që të shfrytëzohen maksimalisht vlerat e vendit në funksion të kulturës dhe turizmit.

Ministri Gonxhja tha se për vitin 2025, Shqipëria priti 12.47 milionë vizitorë, ose një rritje prej 6.6% krahasuar me vitin e mëparshëm.

“Prioritetet për 2026 për rritjen e mikpritjes, promovimin e vendit, mirëmbajtjen e pasurive publike, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kalendari artistik etj. Rritja e imazhit të Shqipërisë ndërkombëtarisht është themeli i përpjekjeve tona. Synojmë ekonomizimin e burimeve, menaxhimin e fondeve dhe maksimizimin e shërbimeve dhe kërkojmë përtej tavaneve të buxhetit, sepse Shqipëria duhet të shpikë shumëfish fonde nëse duam të maksimizojmë vlerat tona në funksion të kulturës dhe turizmit.

Për turizmin, kishim 12.47 milionë vizitorë për 2025, ose një rritje me 6.6% nga viti i mëparshëm dhe kemi nisur punën për dixhitalizimin e shërbimeve administrative. Po punojmë për plazhet publike dhe mirëmbajtjen e stacioneve të plazhit”, tha Gonxhja.

Ministri njoftoi gjithashtu nisjen e punës për dixhitalizimin e shërbimeve administrative, si dhe përmirësimin e kushteve për plazhet publike dhe mirëmbajtjen e stacioneve të plazhit.

Gonxhja theksoi se për të rritur cilësinë e sektorit të turizmit, ku fokus do jetë edhe licencimi i strukturave duke eliminuar evazionin dhe duke monitoruar flukset e turistëve që vizitojnë vendin.

“Do sjellim risinë e menaxhimit publik nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, që është një kategori e re plazheve të menaxhuara krahas atyre private. Reduktimi i beach bar-ve, ulja e ndotjes akustike dhe rritja e sporteve dhe lojërave që lidhen me plazhin dhe sezonin e verës janë gjithashtu përparësi. Strukturat akomoduese duhet të licencohen, të rrisim standardet, certifikimin dhe transparencën në sektor, duke eliminuar evazionin dhe duke parë qartë flukset e turistëve në vendin tonë”, tha ai.