Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare regjisori i njohur shqiptar, Dhimitër Anagnosti

07:25 | 1 Shtator 2025
E.K

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare një nga figurat më të shquara të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Lajmin e trishtë e ka bërë publik vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale:

“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetes sone! Pas nje lëngimi te gjate ju binde ligjit te jetes! Lamtumirë babush!”, ka shkruar ajo.

Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno më 23 janar 1936 dhe është cilësuar si një nga regjisorët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX. Me një karrierë që përfshin mbi 40 vite krijimtari, ai realizoi 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe ishte autor i 15 skenarëve – shumicën i shkruar vetë.

Puna e tij nisi si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, për të vazhduar më pas me filma që kanë lënë gjurmë në historinë e kinematografisë shqiptare, si “Debatik”, “Toka jonë”, “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, ndër të tjerë. Filmi i tij i fundit ishte “Gjoleka, djali i Abazit” (2005), që u nderua me çmime ndërkombëtare në Itali.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ai u nderua me titullin “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe me Kupën e Karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar.

Anagnosti ishte gjithashtu i angazhuar politikisht në fillim të viteve ’90 si pjesë e lëvizjes demokratike. Ai shërbeu si deputet dhe Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga viti 1992 deri në 1994.

Ai ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli” dhe mbështeti me përkushtim zhvillimin e kulturës shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Dhimitër Anagnosti ishte i martuar me aktoren e njohur Roza Anagnosti, “Artiste e Merituar”.