Në Katedralen e Shën Palit në Tiranë do të mbahet sot një meshë kushtuar papa Françeskut, i cili ndërroi jetë sot në moshën 88-vjeçare, një ditë pas festës së Pashkës.
Mesha do të drejtohet nga kreu i kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj.
Në një qarkore për kremtimin e Meshës së Dritës, me rastin e vdekjes së papa Françeskut, Imzot Dodaj ftoi besimtarët ti bashkohen kësaj meshe.
“Në këtë ditë në të cilën Kisha kremton të Hënën e Pashkës së Ringjalljes së Zotit tonë Jezu Krishti, Hyji i çdo mirësie ka dashur të thërrasë pranë Vetes Bariun e Kishës Universale, të Ëmbëlin Krisht mbi Tokë (cit. Shënjeta Katerina nga Siena), Papa Françeskun. Me këtë rast, ju ftoj juve, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e të gjithë ju besimtarë, të përqendrojmë lutjet dhe kremtimet Eukaristike për shpirtin e tij, duke falënderuar Zotin për zërin e tij kumbues në shpalljen e Ungjillit si dritë rrezatuese e Krishtit, Barit të Mirë, nga Selia e Pjetrit, për mbarë botën”, tha Imzot Dodaj.
Imzot Dodaj u shpreh se “Ati, Hyji i Mëshirshëm që në provaninë e Tij, na dhuroi Papa Françeskun dhe sot e thirri pranë Vetes, i dhëntë atij shpërblimin e të drejtëve dhe neve ngushëllimin dhe Hirin e Shpirtit të Shenjtë. Virgjëra Mari, Nëna e Këshillit të Mirë, Pajtoreja e popullit tonë dhe ndërmjetësimi i së Shenjtës Nënë Tereza dhe i të Lumit Vinçens Prenushi dhe Martirëve Shqiptarë, qofshin ngushëllimi i tij”.
Papa Françesku ndërroi jetë sot në mëngjes, në moshën 88-vjeçare.
Papa Françesku u shfaq një ditë më parë në Bazilikën e Shën Pjetrit për bekimin tradicional ”Urbi et Orbi”, në fund të meshës së Pashkëve, të kremtuar në sheshin e Shën Pjetrit nga kardinali Angelo Comastri.
Në 12 vitet e pontifikatit, Papa i parë jezuit dhe i Amerikës së Jugut në histori është angazhuar pa u lodhur për mbrojtjen e emigrantëve, mjedisin dhe drejtësinë sociale pa vënë në dyshim pozicionet e Kishës për abortin apo beqarinë e priftërinjve./atsh
Fundoset varka me emigrantë në Greqi, 18 të vdekur
Muçi i jashtëzakonshëm, realzion dy gola ndaj Goztepes
Arian Tahiri pjesë e listës së kandidatëve për deputet nga P...
Haradinaj publikon listën me 110 kandidatët për deputet në z...
Spektakël në Gjakovë: Hellems, hero i kuqezinjve ndaj kampio...
Abdixhiku e publikon listën e LDK-së me emrat e 110 kandidat...