Google ADS

Masakra me 4 viktima në Dobraç, RENEA aksion në Shkodër

08:43 | 18 Shkurt 2025
E.G

Policia e Shtetit ka nisur një aksion “blic” në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Shkodrës.

Nga burime jo zyrtare bëhet me dije se aksioni policor se ka nisur rreth orës 05:30 dhe dyshohet se ka lidhje me masakrën me 4 viktima të regjistruar pasditen e 30 Tetorit 2024 në afërsi të Dobraçit.

Mësohet se forcat RENEA kanë zbarkuar në banesën e Safet Bajrit dhe pritet shoqërimi i tij për t’u marrë në pyetje nga Policia.

Ende nuk dihet nëse ka të arrestuar apo të shoqëruar të tjerë në lidhje me aksionin e sotëm të Policisë.

Kujtojmë se masakra e Dobraçit po hetohet nga SPAK, për shkak se Prokuroria e Shkodrës shpalli moskompetencë, pasi dyshohet se është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.

Dy prej të dyshuarve për masakrën e Dobraçit, ishin edhe dy të rinjtë, Samuel Troshani dhe Izmir Sakica. Gjithsesi, ata ishin shpallur vetëm në kërkim policor dhe jo me vendim gjykate.

Pasi u vetëdorëzuan në Polici, muajin e kaluar, pasi ishin shpallur në kërkim për dhunimin me sende të forta të Vladimir Bruçit, ata u morën në pyetje dhe në lidhje me masakrën e Dobraçit.

Një grup i specialistëve të krimeve kundër jetës dhe personit në Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit shkuan në Shkodër dhe i marën në pyetje dhe në lidhje me atë ngjarje. Por, ata e kanë mohuar përfshirjen e tyre në masakrën e Dobraçit, madje kanë treguar dhe se ku ndodheshin në momentin kur ka ndodhur atentati. Aktualisht Izmir Sakica dhe Samuel Troshani ndodhen në burg.

Në atentatin e 30 Tetorit humbën jetën vëllai i Ibrahim Licit, Hamza Lici, Arlind Bushati, si dhe dy viktimat aksidentale çifti Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët u përplasën nga makina e viktimave teksa udhëtonin me motor. Në automjetin e viktimave dyshohej se ishte i pranishëm edhe Ibrahim Lici, i shpallur në kërkim prej vitesh, por deri më tani kjo gjë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

/rtsh.al/

Të ngjashme

Foto lajm