Liderët e BE dhe rajonit mblidhen të hënën në Tiranë

16:16 | 14 Tetor 2023
E.K

E rindezur nga Kancelari gjerman vitin e shkuar, nisma e Procesit të Berlinit në samitin e radhës që do të mbahet të hënën në Tiranë do të diskutojë për dy çështje me rëndësi për rajonin tonë: integrimi i tij në një treg të përbashkët si dhe mbështetja që duhet t’i jepet tranzicionit të gjelbër dhe atij dixhital duke vlerësuar sfidat dhe mundësitë që ka për investime në këto dy fusha.

Axhenda e paracaktuar më herët nuk ka në diskutimet e liderëve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, çështjen më të nxehtë në këtë rajon aktualisht, situatën e krijuar mes Prishtinës e Beogradit pas sulmit të 24 Shtatorit. Por prania e Albin Kurtit dhe Kryeministres Bërnabiç në samit nuk e përjashton mundësinë që kjo temë të bëhet pjesë e diskutimeve të mbyllura të këtij samiti.

Vendi që do të mikpresë delegacionet nga vendet e BE dhe ato të rajonit do të jetë Piramida.

Do të jenë 31 delegacione, përfshirë këtu dhe përfaqesuesit e insitucioneve financiare si BERZH e FMN apo dhe organizatave rajonale. Veç Kancelarit Scholz, paraardhësja e të cilit Angela Merkel është iniciuesja e kësaj nisme në 2014, në Tiranë do të jenë Presidetja e Komisionit Europian dhe ai i Këshillit Europian, Presidenti francez e Kryeministrja italiane Meloni.

Mes liderëve të tjerë ballkanik nuk do të mungojë dhe Kryeministri Mitsotakis, i cili pavarësisht se nuk e thirri në darkën e liderëve të rajonit në Athinë Edi Rama ka vendosur të jetë vetë në samitin e Tiranës, ndoshta edhe për shkak të ftesëes së përsëritur që Rama i bëri publikisht.

Madje Mitsotakis, qeveria e të cilit vijon këmbëngul në forma të ndryshme për lejimin e betimit të Fredi Belerit si kryebashkiak, ka lajmëruar se do të mbaj edhe një konferencë për shtyp për gazetarët grekë të hënën në Tiranë.

Dita e samitit është përzgjedhur në mënyrë simbolike të jetë dhe dita e inaugurimit të Kolegjit Europian që do të ketë një degë të tij në Tiranë, ndërsa përpara konferencës për shtyp do të firmosen dhe marrëveshjet rajonale për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale.

Përfundimet e samitit që nis në orën 11:00 të paradites do të bëhen publike në konferencën për shtyp të Kryeministrit Rama, Kancelarit Scholz dhe Presidentes Von Der Leyn e planifikuar të nisë në orën 17:45 minuta.

Ndërsa i gjithë takimi i Tiranës do të përfundojë me inaugurimin përfundimtar të Piramidës.

I fundit që do të lërë Tiranën nga miqtë e ftuar europianë dhe ballkanas do të jetë Emmanuel Macron i cili do ta shfrytëzojë ardhjen dhe për vizitën e parë të një Presidenti francez në Shqipëri.

Mëngjesin e të martës ai do të pritet nga Kryeministri në kryeministri me të cilin do të ketë dhe një konference për shtyp e më pas do të ketë takimin me homologun Bajram Begaj./tvklan

Shpërndaje në rrjete sociale