Kuvend, mazhoranca, procedurë të përshpejtuar për prishjen e Teatrit Kombëtar; Basha: Po nxitoni për të vjedhur 205 milionë euro

17:55 | 28 Qershor 2018
Arbresh.info

Mazhoranca ka kërkuar që të fusë me procedurë të përshpejtuar projektligjin për Teatrin Kombëtar, gjë që është kundërshtuar me forcë nga opozita.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se mazhoranca po kërkon “të vjedhë 205 milionë euro me një dorë, duke shkatërruar Teatrin Kombëtar”.

“Doni ta bëni vjedhjen me ligj dhe procedurën e ligjit e shkelni. Kaq në nxitim jeni për të vjedhur. E bëni këtë sepse ky vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Tërhiquni nga kjo masakër. Po i vini minat paqes sociale në vend”, tha Basha.

Ndërsa Luan Rama i LSI-së deklaroi: “Të tërhiqet procedura e përshpejtuar për këtë projektligj. Teatri nuk është çështje procedurash apo kartonash”.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi u përgjigj se projektvendimi ka qenë që në momentin që është miratuar rendi i ditës.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi u shpreh se “kjo është vjedhje publike”.

“Prona publike po vidhet dhe po i jepet privatit. Akti është hartuar që kryeministri, ministri dhe kryebashkiaku mos të mbajnë përgjegjësi. Kur shqiptarët prisnin hapjen e negociatave, Rama përgatiste vjedhjen e pronës publike, vjedhjen e 250 milionë eurove”, tha Vokshi./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale