Ksamili në qershor, pushues të shumtë shijojnë plazhet në ditët e para të verës

09:28 | 8 Qershor 2025
E.G

Ksamili, një nga perlat bregdetare të Shqipërisë, vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh edhe në ditët e para të verës. Bukuria e plazheve me ujë të kristaltë dhe rërë të bardhë, e kombinuar me mikpritjen dhe shërbimet cilësore, e kanë kthyer këtë zonë në një ndër destinacionet më të preferuara për pushuesit vendas dhe të huaj.

“E pashë për herë të parë Ksamilin në një foto në Instagram. Ishte një imazh me ujë të kaltër dhe ishuj të vegjël, mendova që ishte ndonjë vend ekzotik larg, por pastaj zbulova që ndodhej në Shqipëri. Nuk e kisha menduar kurrë të udhëtoja këtu, por pamjet më bënë kurioze. Vendosa të vija këtë verë dhe nuk u zhgënjeva. Ksamil është edhe më i bukur nga afër. Është i qetë, i pastër dhe njerëzit janë shumë mikpritës. Jam shumë e lumtur që e zbulova këtë vend përmes një fotoje”, u shpreh një turiste.

“Një mikeshë më dërgoi disa foto nga pushimet e saj në Shqipëri dhe një prej tyre ishte nga Ksamil. Isha e mahnitur nga ngjyrat e detit dhe peizazhi i paprekur. Nuk kisha dëgjuar më parë për këtë vend, por fillova të kërkoj më shumë online. Sa më shumë shihja, aq më shumë më rritej dëshira për ta vizituar”, tha një tjetër turiste.

Shumë turistë zgjedhin të shijojnë ditët e para të verës në qetësi, përpara se të nisë piku i sezonit. Plazhet janë të mbushura me pushues që kërkojnë relaks dhe natyrë të paprekur.

“Kjo periudhë e vitit, është perfektë për të shijuar natyrën dhe plazhet pa turmat e mëdha. Fillimi i verës sjell mot të ngrohtë dhe ditë të gjata, por pa nxehtësinë e fortë të muajve korrik dhe gusht. Kjo bën që pushimet të jenë shumë më relaksuese dhe të këndshme“, theksoi pushuesja.

Pozita gjeografike pranë Butrintit, infrastruktura në përmirësim dhe bukuritë natyrore e bëjnë Ksamilin një zonë të veçantë që ofron përvoja të paharrueshme. Rritja e interesit për turizmin në këtë pjesë të jugut është një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik dhe promovim të mëtejshëm të Shqipërisë si destinacion turistik./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme