Sot, në Ministrialin e Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, u njoh zyrtarisht Korridori 8 si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive, një hap që vendos Shqipërinë në zemër të infrastrukturës strategjike të Aleancës dhe forcon sigurinë rajonale.
Korridori 8, me pikënisje në kompleksin portual Durrës–Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi, u përfshi në planet e NATO-s për infrastrukturën kritike ushtarake. Ky është një rezultat konkret i punës disavjeçare, që pozicionon Shqipërinë si një aktor kyç në sigurimin e rajonit dhe në planet strategjike të Aleancës për vitet në vijim.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, theksoi rëndësinë e kësaj arritjeje, duke nënvizuar se ky është një moment historik që vendos Shqipërinë në qendër të infrastrukturës ushtarake dhe të operacioneve të NATO-s.
“Pas një pune disavjeçare të disiplinuar, sot në ministerialin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, Korridori i Katërt, me pikënisje në kompleksin portual Durrës–Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi, u përfshi zyrtarisht në planet dhe në infrastrukturën kritike ushtarake të Aleancës. Kjo është një arritje konkrete që pozicionon Shqipërinë në zemrën e të gjitha planeve rajonale dhe në zemrën e të gjitha infrastrukturave ku Aleanca do të përqendrohet në vitet në vijim”, tha Vengu.
Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në misionet e Aleancës, veçanërisht në kuadër të KFOR-it në Kosovë, dhe theksoi rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë në këto operacione, duke përfshirë për herë të parë forcën ajrore.
Një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua në këtë ministerial ishte rritja e investimeve në mbrojtje nga të gjitha shtetet aleate dhe përpjekjet për forcimin e industrisë ushtarake.
“Nga ana tjetër, ministeriali ishte një mundësi për të diskutuar me aleatët e ardhshmërinë e operacioneve ku Shqipëria është pjesë, veçanërisht ai i KFOR-it në Kosovë. Vlerësohet gjithashtu rritja e kapaciteteve të Shqipërisë në këtë mision, përfshirë për herë të parë forcën ajrore. Ndërkohë, në partneritete të ngushta me SHBA dhe komandën amerikane në Evropë, po bëhen të gjitha rivlerësimet e nevojshme për të ardhmen e këtij misioni, që përbën dhe një mundësi shumë të mirë për qeverinë e re të sapozgjedhur të Kosovës për të rritur bashkëpunimin cilësor dhe gjithnjë e më të ngushtë me Aleancën. Pika e tretë kishte të bënte me mënyrën se si të gjitha vendet aleate po rrisin investimet në mbrojtje dhe po ristrukturojnë industrinë ushtarake për të rritur kapacitetet e saj. Shqipëria ka nisur këtë rrugë me vendosmëri dhe po krijon kapacitete të reja, duke lidhur disa kontrata”, tha Vengu.
Në fund të diskutimeve, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë përmendi samitin e ardhshëm të Tiranës në vitin 2027, një mundësi për të thelluar më tej bashkëpunimin me aleatët dhe për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë dhe të rajonit.
“Së bashku me kolegët tanë turq dhe me sekretariatin këtu në Bruksel, ka nisur puna për Samitin e Tiranës në vitin 2027,” tha ministri.
Takimi i sotëm në Bruksel është një vazhdim i përpjekjeve të vazhdueshme të NATO-s për të përballuar sfidat e sigurisë dhe për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha shtetet anëtare.
/rtsh.al/
Ademi: Shorti nuk është i lehtë, por mund t’ia dalim në këtë...
Policia sekuestron armë dhe drogë në Mitrovicë
Portugali/ Parlamenti miraton kufizime për aksesin e fëmijëv...
Lëkundje tërmeti në Vlorë
Prokuroria nisi hetime për drejtorin e shkollës “Pavarësia” ...
Foda pas shortit: Qëllimi ynë është të arrijmë vendin e dytë