Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Asamblenë Kombëtare të PS-së deklaroi se qeveria do të ndërhyjë drejtpërdrejt për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve, duke parashikuar ulje në 20% të akcizës në raste të caktuara.
“Po ashtu kemi marrë vendim që për çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve, do ketë menjëherë një ulje me 20% të akcizës së naftës. Deri tani nuk shikojmë impakt në të tjera çmime, por fatmirësisht jemi në kushtet ku kemi një borxh dhe deficit në kontroll dhe që na mundëson që në momente të tilla të kemi dhe një hapësirë në dispozicion për të mos lënë askënd”, u shpreh Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së.
Ai theksoi se rritja e çmimeve është pasojë e drejtpërdrejtë e zhvillimeve ndërkombëtare.
“Dua ta filloj me një fakt që shqetëson të gjithë. Jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Europën. Çdo krizë, sado larg nesh, projektohet edhe te ne. E kam fjalën për atë që po shfaqet ditët e fundit si impakt i drejtpërdrejtë i luftës që SHBA-të dhe Izraeli i kanë hapur regjimit të Teheranit. Një impakt në gjithë pompat e furnizimit me naftë dhe benzinë. Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje”, deklaroi Rama.
Në këtë kuadër, kryeministri bëri të ditur se është aktivizuar edhe mekanizmi i kontrollit të tregut. AI theksoi se është vënë në lëvizje Bordi i Transparencës.
“Kemi vendosur në lëvizje Bordin e Transparencës, çka e kemi përdorur edhe më parë”, tha ai.
Ndërkohë, Rama njoftoi krijimin e një entiteti shtetëror që do të ndërhyjë drejtpërdrejt në tregun e naftës.
“Jemi në një fazë të avancuar të formësimit të një entiteti shtetëror që do të ndërhyjë në tregun e naftës. Do të krijohet së shpejti dhe do të marrë përsipër një veprimtari që shkon nga garantimi i rezervës shtetërore te monitorimi i vazhdueshëm i tregut dhe sigurimi i furnizimit për të mos lejuar asnjë spekulim me çmimet”, u shpreh ai.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu dy komponentë të rinj që do të forcojnë kontrollin në treg, veçanërisht ndaj evazionit dhe kontrabandës. Ky process, theksoi Rama, do materializohet në 2 muajt në vijim.
“Jemi në fund të një procesi që do të materializohet në 1-2 muajt në vijim për të futur dy komponentë të rinj në monitorimin e tregut të naftës, që do të sjellin rezultate të shpejta edhe në aspektin e evazionit dhe kontrabandës së naftës. Njëri është produkti i kompanisë publike AlbTreis për një ngjyrim në një nivel krejt tjetër të naftës dhe tjetri është një produkt për ndjekjen në kohë reale të gjithë qarkullimit të naftës transit”, deklaroi Rama.
Ai pranoi se këto janë fusha ku ka ende dobësi. “Këto janë dy pika ku kemi dobësi në përballjen me fenomenet që përmenda më parë”, shtoi kryeministri.
Në përfundim, Rama theksoi se plani i ri synon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.
Karburantet nën kontroll shtetëror: Rama paralajmëron ulje a...
Vritet me armë zjarri një 30-vjeçar shqiptar në Itali, arres...
Sulmohet sërish objekti bërthamor i Natanzit në Iran
Kosova në pritje të Kushtetueses: Kuvend apo zgjedhje të rej...
Rudolph: I kemi thënë Qeverisë se do ta çmonim shumë nëse do...
Tahiri: Bizneset në prag kolapsi, po mbytet sektori që i gje...