Integrimi në BE, Rama: Ngjarja e dytë historike për ngritjen e flamurit, ky është misioni i PS

18:41 | 26 Shkurt 2025
E.G

Kryeminitri i Shqipërisë, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me asambletë socialiste të njësive Dajt, Zall-Herr, Zall-Bastar, Shëngjergj, Petrelë, Farkë, Baldushk, Kërrabë, Bërzhitë dhe Lagjja 12 të kryeqytetit. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si edhe deputetët socialistë, Xhemal Qefalia dhe Etjen Xhafaj.

Kryeministri u shpreh se me “rrethanat e krijuara na kanë hapur një dritare mundësie që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë, që brenda dy viteve të ardhshme ne të mbyllim negociatat për anëtarësim, në bazë të planit që kemi bërë me Komisionin Evropian dhe pastaj në dy vitet e tjera të bëjmë ratifikimin anëtarësimit të Shqipërisë në 27 parlamentet e vendeve anëtare dhe me votën e 11 majit ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së”.

“Kjo është mundësia historike që kemi sot, dhe për këtë arsye ju të gjithë, ne të gjithë dhe çdokush që është në një pozicion drejtues, dhe këtu kam parasysh kryetarët e organizatave, duhet të kuptojë që ky është një mision patriotik. Nuk është çështja hajde se do votojmë për PS-në, se ne jemi me PS, se për ata do votojmë, nuk është çështja se s’kemi për kë votojmë tjetër dhe për PS do votojmë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, çështja në këto zgjedhje nuk është vetëm te votimi për Partinë Socialiste, por te vota masive, si një mundësi për ta bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, që deri dje sipas Ramës, dukej si një realitet pas vdekjes.

“Se në fillim fare, kur dolën të gjithë në rrugë: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, kujtuan se mund të rrëzohej regjimi i i kaluar dhe u bëmë Evropë. Rrugës, pamë që tjetër gjë është të shkosh në Evropë individualisht dhe tjetër gjë është të bëhesh Evropë si shtet; Tjetër gjë është të marrësh të drejtën që të udhëtosh ku të duash si shqiptar, tjetër gjë është të jesh pjesë e Evropës si evropian, me të gjitha liritë dhe të drejtat; Tjetër gjë është të shkosh në Evropë dhe të të shohin nga lart poshtë, tjetër gjë është të jesh në Evropë dhe t’i shohësh drejtpërdrejtë në sy”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal edhe te çështja e emigracionit dhe vështirësitë me të cilat janë përballuar ndër vite bashkëkombësit shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në shtete të ndryshme të botës.

“Këtu ka njerëz që kanë qenë në emigracion si puna ime, e kanë parë mirë se cila ka qenë historia e tyre si shqiptarë në emigracion dhe në rastin më të suksesshëm prapë shqiptarët-shqiptarët. Këtu ka njerëz që kanë njerëzit e tyre në emigracion dhe e dinë se si është kjo punë, ne e dimë shumë mirë se çdo të thotë të lindësh dhe të jetosh në një vend të poshtëruar me qindra vjet, të poshtëruar nga të huaj dhe të nga të vetët, dhe ky është momenti për të marrë hak për të gjitha dhe për t’u dhënë ne hakun atyre që sot, lavdi Zotit, janë akoma gjallë dhe ata që janë fëmijë sot”, theksoi Rama.

“Nuk mund të bëjmë gjë më të madhe për fëmijët sot, sesa t’u japim pasaportën evropiane, nuk mund të bëjmë gjë më të mirë sot për të rinjtë dhe të rejat sesa ta çojmë flamurin kombëtar në rresht me flamujt e tjerë dhe t’i japim mundësinë çdo vajze dhe djali shqiptar të jetë i barabartë me çdo francez, gjerman, anglez, polak me këdo qoftë. Nuk mund të bëjmë gjë më të madhe me PS se sa ta marrim atë emrin, Albania, dhe të shkojmë ta vëmë atje në tavolinë dhe të themi: “Ne jemi të barabartë si ju”, prandaj historia e të parit nga lart poshtë i takon të kaluarës njëherë e përgjithmonë. Ky është momenti historik për ta bërë këtë, të gjitha të tjerat kalojnë. Llafet i merr era, ngjarjet harrohen, ato të përditshmet, nesër ka ngjarje të tjera, por kjo është historike”, theksoi Kryeministri.

Rama nënvizoi se momenti i ngritjes së flamurit të Shqipërisë në oborrin e familjes së madhe evropiane do të jetë “ngritja e dytë e flamurit”.

“Dhe ne që jemi këtu, jemi ata që e kemi këtë mision. Jam i sigurt që të gjithë këtu kanë vërejtje dhe kritika për të bërë, kanë dhe të drejtë në vërejtjet dhe kritikat që mund të bëjnë. Por, ama duke qenë drejtues të PS atje në qendrën tuaj të votimit juve më mirë se çdokush tjetër duhet t’ua njihni njerëzve aty rrotull të drejtën që kanë për të pasur ankesa, por nga ana tjetër duhet t’ua kujtoni të gjitha ato gjëra që janë bërë. Në 10 vite janë bërë më shumë gjëra se në gjithë vitet e marra së bashku”, pohoi Rama./atsh.al