Hetimi për CEZ, dështon sërish dëshmia e Shkëlzen Berishës

18:43 | 6 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Ka dështuar për të dytën herë dëshmia e Shkëlzen Berishës në komisionin hetimor për privatizimin e OST-së tek kompania çeke CEZ, i mbledhur sërish pasditen e kësaj të hëne.

Shkak është bërë sërish refuzimi i Berishës për të bërë betimin përpara kryetarit Balla, i dënuar për shpifje në dëm të djalit të ish-kryeministrit, shkruan TCH, transmeton portali arbresh.info

I Vetëdijshëm për këtë situatë, Balla ia ka lënë fjalën deputetit Ulsi Manja për të lexuar formulën e betimit, veprim ky që ka sjellë reagimin e Berishës.

Shkëlzen Berisha: Zoti Manja, kush është kryetari, ju apo i dënuari?

Pyetja e dëshmitarit ka sjellë reagimin e kryetarit Balla, i cili është pasuar nga përplasje të tjera mes tij, nënkryetarit demokrat të komisionit dhe anëtarëve.

Taulant Balla: Këtë proces hetimor e drejtoj unë. Histori kur ti cakton prokurorin, gjyqtarin dhe bën betimin kur do ti nuk ka më.

Arben Ristani: Zotëria (Shkëlzen Berisha) ka paraqitur një kërkesë për dorëheqjen tuaj…

Taulant Balla: Është trajtuar.

Arben Ristani: Jo, është trajtuar kërkesa ime.

Taulant Balla: Ka të njëjtin objekt…

Arben Ristani: Ti nuk mund të votosh për veten tënde.

Nga anëtarët e komisionit, deputeti socialist Pjerin Ndreu është shprehur në favor të shqyrtimit të kërkesës së dëshmitarit, në mënyrë që, siç tha ai, ajo të mos jetë më shkasë për përleshje verbale në komision. Ndërsa demokrati Ridvan Bode, në fjalën e tij ka akuzuar Ballën se në këtë proces është një figurë tërësisht e kompromentuar, për faktin se në daljet e tij në media flet për prova e fakte, ndërkohë që në komision nuk është paraqitur asnjë prej tyre.

Pjerin Ndreu: Këtu jemi për të sqaruar, jo për të akuzuar. Mqs ka një kërkesë, le t’ia lëmë ta shqyrtojë Kryesia e Kuvendit, mqs është bërë shkak për përleshje apo për kor nga deputetët matanë se kush është më i devotshëm ndaj zotit dëshmitar.

Ridvan Bode: Ky komision është kthyer në qesharak sepse ju e keni katandisur këtë komision në këtë gjendje. Zoti Balla, ju nuk lini dritare pa dalë duke thënë se në këtë komision kemi prova e fakte pa fund. Zoti Balla ju keni dy probleme: një problem me të vërtetën dhe ky komision përpiqet të mbledhë dy fakte më shumë. Ndërsa në raport me personin dhe me çështjen ju jeni provuar që jeni mashtrues dhe kjo nuk e ndihmon procesin. Ju keni një problem në raport me ligjin. Ka një vendim gjykate që thotë se ju duhet të dëmshpërbleni dëshmitarin. Ju thoni se nuk pyesni për atë vendim. Kështu që interesi juaj shkon përtej interesit publik. Ju keni arritur në përfundime pa përfunduar punën ky komision. Keni pretenduar për të vërtetën pa dëgjuar dëshmitarët. Ju jeni në funksion të ngritjes së një tymnaje për të mbuluar aferën e prishjes së kontratës me CEZ, që kushtoi 600 milionë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale