Granoff: Në Butrint nuk do të ndërtohet asnjë hotel apo objekt tregtar

01:47 | 22 Maj 2022

Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se po ndihmojnë me financime prej shumë vitesh në Shqipëri arsimin, transformimin urban në disa qytete dhe ekoturizmin. Zoti Grannoff flet edhe për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit për 10 vitet e ardhshme mbi bazë të një marrëveshje të Fondacionit me Ministrinë e Kulturës. Sipas tij, Butrinti është në pronësi dhe kontrollohet nga qeveria dhe populli i Shqipërisë dhe Fondacioni do të kontribuojë duke dhuruar dhe 5 milionë dollarë për mbrojtjen e këtij parku.

Zëri i Amerikës: Zoti Granoff! Ju sapo keni vizituar në Shqipëri disa nga projektet e AADF. Në mënyrë të përmbledhur, ku janë të fokusuara projektet e financuara nga Fondi?

Michael Granoff: Si fillim jam shumë i lumtur që po kaloj kohë me ju dhe është një nga gjërat më të rëndsishme të vizitës time në Shqipëri, që të kem mundësinë të flas me njerëzit specifikisht dhe nëpërmjet kësaj bisede me ju më jepet kjo mundësi. Fondacioni ka një numër të madh të fushave të ekspertizës dhe të fokusimit. Një nga ato është arsimi, një tjetër është rindërtimi urban dhe transformimi i qyteteve në të gjithë vendin. Ajo çfarë përpiqemi është të ndërtojmë jo një projekt të vetëm, por një portfolio programesh. Pra secila nga këto zona ka një numër programesh, të cilat kur të bashkohen të japin përfitime të shumëfishta.

Zëri i Amerikës: Programet e arsimit janë midis angazhimeve kryesore të AADF në Shqipëri prej shumë vitesh, në të gjithë nivelet, nga fëmijët deri tek studentët. Cilat janë disa nga investimet tuaja të fundit në edukimin digjital dhe në trajnimin e të rinjve?

Michael Granoff: Një nga punët më të rëndësishme që ne bëjmë për të përmirësuar jetën e njerëzve këtu, është arsimimi. Fëmijët e Shqipërisë do të krijojnë Shqipërinë e të ardhmes dhe nëse duam që ata të krijojnë shtetin që njerëzit duan dhe të ndërveprojnë me botën, arsimimi është mjeti më i rëndësishëm për ta bërë këtë. Ne kemi krijuar një seri programesh duke punuar me fëmijë që nga klasa e parë dhe e dytë deri në universitet. Së dyti, një rol të rëndësishëm zë teknologjia. Ne jemi përpjekur të krijojmë programe digjitale edukimi. Një nga programet që kemi ndërmarrë në këtë udhëtim ditëve të fundit është se do të vendosim laboratore kompjuterike në 100 shkolla të ndryshme në të gjithë vendin për nxënës të arsimit fillor. Këtë mëngjes unë vizitova projektin tonë në TUMO, ku ka shumë lloje të edukimit digjital nga robotika te video lojërat për fëmijët në gjimnaz, duke i mundësuar këtë lloj mjetesh për të mësuar. Për më të rriturit ne kemi krijuar një akademi kodimi, ku mund të mësojnë si të kodojnë softuare për t’u përgatitur për punët e sotme dhe të të ardhmes, duke thyer kufijtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Granoff! AADF ka mbështetur ngritjen e disa qindra bizneseve të vogla në 8 qytete të mëdha të Shqipërisë, ku ka rindërtuar zona të njohura tregtare. Shqipëria ka nevojë për investime të huaja dhe po përpiqet të thithë investime të huaja, por ka arritur pak. Ju keni vite që investoni në Shqipëri, ndaj bazuar në përvojën tuaj, çfarë ka nevojë të ndryshojë Shqipëria për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të tërhequr investime të huaja?

Michael Granoff: Një nga pikat kryesore të projekteve tona është transformimi i zonave urbane. Këtë e kemi bërë në 9 qytete në të gjithë vendin. Kemi dhuruar mbi 30 milionë dollarë për këtë qëllim. Më i rëndësishëm se sa rikonstruksioni i ndërtesave, është bashkëpunimi që fondacioni ka krijuar me qeverisjen vendore dhe bizneset vendore. Nëse duam të krijojmë një klimë pozitive biznesi, që njerëzit të investojnë në të, duhen krijuar bashkëpunime të tilla. Nga këto projekte zbuluam se bizneset ishin të gatshme të konkuronin me njëra tjetrën. Bizneset u rritën, u rrit klientela, njerëzit ishin më të lumtur, erdhën dhe kaluan kohën në këto vende, pra rezultoi se duhej një katalizator për ta bërë këtë. Sa më shumë njerëz të provojnë ta bëjnë këtë gjë në biznesin e tyre do të jetë tërheqëse që jo vetëm të zhvillojnë bizneset e tyre, por dhe të tërheqin investime të huaja. Mjedisi i biznesit është një faktor i rëndësishëm, të cilit i bashkangjiten edhe sfidat e investimit në Shqipëri. Një nga këto është edhe korrupsioni. Ne i dimë problemet, i dëgjojmë çdo ditë dhe nuk janë specifike vetëm për Shqipërinë. Këto janë probleme për investimet në shumë vende, por edhe shtetet konkurojnë me njëri-tjetrin për kapitale dhe sfida e qeverisë është që të jetë në gjendje të konkurojë me këto shtete të tjera. Klima e biznesit që kemi krijuar ne është që njerëzit mund ta shohin, ta prekin dhe jo vetëm ta lexojnë në letra atë. Kur unë vizitova vendet, ku janë bërë përparime në biznes, ecja në rrugë dhe mund të shikoja ndryshimet e bëra në këto vende, jo vetëm në aspektin fizik, por dhe në sjelljet e njerëzve. Ata janë të lumtur të jetojnë aty, kështu që ne kemi bërë një hap të rëndësishëm në këtë aspekt dhe ky progres duhet të shumëfishohet për të tërhequr më shumë kapitale për biznese të reja. Në këtë mënyrë ekonomia mund të rritet në një formë dinamike.

Zëri i Amerikës: Një nga projektet e fundit të AADF në fushën e kulturës dhe Eko-turizmit është menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit. Ministria shqiptare e Kulturës dhe AADF kanë themeluar së fundi Fondacionin për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje. Marrëveshja ka ngjallur debate të forta në Shqipëri nga shumë drejtime. Si do t’u përgjigjeshit ju disa ekspertëve të pavarur, që kanë shprehur shqetësim të madh për faktin që ky Park i rëndësishëm Kombëtar, që mbrohet nga UNESCO, për herë të parë do të menaxhohet jo nga shteti shqiptar, por nga një organizatë jofitimprurëse? (Ata thonë se ky është i vetmi shembull në botë, që shteti nuk menaxhon vet një pasuri kaq të madhe kombëtare).

Michael Granoff: Kjo pyetje më jep mua një mundësi që tju shpjegoj njerëzve se çfarë po përpiqemi të bëjmë në Butrint dhe është shumë e rëndësishme për njerëzit në Shqipëri ta kuptojnë se çfarë po përpiqemi të arrijmë. Në anglisht është një shprehje që “njerëzit kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por nuk kanë gjithnjë të drejtë për faktet”. Faktet për Butrintin janë shumë të thjeshta. Si fillim, Butrinti është në pronësi dhe kontrollohet nga qeveria dhe populli i Shqipërisë. Asgjë nga këto që e po bëjmë nuk e ndryshon pronësinë dhe kontrollin e Butrintit si dhe objektet e trashëgimnisë kulturore. Së dyti, njerëzit flasin shpesh për Butrintin si një koncension. Koncensionet janë një mundësi për të marrë para, pra për të fituar para. Ndërsa ligji për Butrintin është një mundësi nga ne për të dhuruar para. Si rezultat i këtij ligji, ne do të dhurojmë 5 milionë dollarë të tjera. Nuk di shumë njerëz të tjerë, që po përpiqen ta bëjnë këtë. Arsyeja pse na duhej kjo lloj strukture për ta bërë këtë gjë është që ta mbrojmë Butrintin dhe ta mbajmë të pandryshuar. Po jap një shembull: disa vite më parë ne instaluam makineri elektronike biletash në Butrint dhe vitin tjetër të ardhurat e fituara nga Butrinti u trefishuan, por kjo s’do të thotë që kanë ardhur tre herë më shumë vizitorë në Butrint. Dy të tretat e këtyre parave që vinin nga këto bileta dilnin nga Butrinti, nuk qëndronin në Butrint për ta ndihmuar atë. Arsyeja pse ne vendosëm këtë makineri elektronike të biletave ishte që siguroheshim që paratë që vinin në Butrint të përdoreshin për të mirën e tij dhe të qëndronin në Butrint, për të përfituar njerëzit e Shqipërisë dhe projekti. Kështu që kur po mendonim se si të vazhdonim ta mbronim këtë zonë të rëndësishme, ne kishim disa kushte se nëse do të dhuronim edhe 5 miljonë dollarë të tjerë duhet të ishim të sigurtë që paratë të mos hynin nga një derë e të dilnin nga dera tjetër. Qëllimi i vetëm i ligjit të ri, i cili nuk është një ligj që zbatohet te fondacioni, por është një ligj i qeverisë shqiptare, ai krijon një strukturë, që mund ta mbështesë dhe të mbrojë Butrintin për një kohë të gjatë. Ky ligj është shumë transparent, ka pasur shumë mbledhje komisionesh parlamentare, marrëveshjet janë shumë transparente dhe ne duam që njerëzit ta kuptojnë se çfarë jemi duke bërë. Ne duam të bëjmë një strukturë shumë të qartë për të krijuar një mjedis ku mund të investojmë dhe dhurojmë sa më shumë para për Butrintin. Së treti, duhet t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë se këto donacione nuk janë vetëm sipërmarrje tregtare. Paratë do të shkojnë për të ndërtuar një qendër vizitorësh, për të ndërtuar korsi biçikletash dhe rrugë për hiking, për ta bërë këtë zonë pa ndotje mjedisore. Nuk do të ndërtohen apartamente, hotele apo ndonjë gjë e ngjashme dhe është e gjitha e mbështetur në një bazë jofitimprurëse, që do të thotë se paratë që hyjnë në Butrint qëndrojnë në të. Dhe pyetja për njerëzit që janë kundër apo dyshues është: ku mendojnë se duhet të shkojnë këto para. Nëse nuk duhet të qëndrojnë në Butrint, atëherë ku duhet të shkojnë? Ky është një koncept shumë i thjeshtë për t’u kuptuar dhe nuk është diçka që ne e kemi menduar dje. Ajo që mund t’iu them unë është se ne kemi punuar në Butrint për rreth 9-10 vjet dhe marrëveshja e parë që kemi nënshkruar për mbrojtjen e Butrintit ka qenë me ish-presidentin Berisha. Marrëveshja që ne kishim thotë se 90% e të ardhurave, që po krijoheshin në Butrint do të qëndronin në Butrint, për të njëjtën arsye që përmendëm më lart. Qeveria Berisha i kuptoi shumë mirë shqetësimet tona. Pra këto që po diskutojmë sot nuk janë arritur kohët e fundit, por ka qenë një përkjekje e vazhdueshme nga fondacioni për të luajtur një rol të përgjegjshëm për të mbrojtur një pjesë kaq të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Kritikët thonë se marrëveshja erdhi pas ndryshimeve në Ligjin shqiptar për Trashëgiminë dhe pas hartimit të Planit të Menaxhimit të Butrintit, i cili u bë nga një kompani e huaj, por u financua nga Fondacioni që ju drejtoni. Si do t’u përgjigjeshit kritikëve për atë që pretendojnë se ju, pasi financuat një plan që propozoi modelin e menaxhimit të Butrintit me një fondacion, tashmë jeni pjesë e tij?

Michael Granoff: Në Butrint si dhe në shumë projekte të tjera ne po përpiqemi të sjellim modele të klasit botëror. Shohim në të githë botën për njerëz që kanë krijuar modele efektive për gjëra të ndryshme. Projektin TUMO e kemi sjellë nga Armenia, programin Teacher Leader nga Izraeli, pra modelet dhe strategjia që ne përdorim janë pak a shumë të ngjashme në të gjitha projektet që ne bëjmë, duke përfshirë këtu edhe Butrintin. Kur po mendonim se si ta mbrojmë Butrintin në mënyrën më të mirë, ne kërkuam nga bota ekspertë dhe njerëz me përvojë, duke mbrojtur dhe zhvilluar zona të tjera kulturore. Butrinti nuk është e vetmja zonë e rëndësishme kulturore për t’u mbrojtur në të gjithë botën dhe nuk është e vetmja për të cilën njerëzit duhet të punonin. Ne gjetëm ekspertët më të mirë dhe punuam me ta për të zhvilluar një program dhe një plan, që më pas duhej të mbështetej nga qeveria, jo nga ne. Ne ia paraqitëm planin qeverisë, e cila kishte gjithë të drejtën që ta prannonte ose ta refuzonte. Ndoshta qeveria kishte planin e vet ose të punonte me dikë tjetër, dhe përsa i përket fondacionit ne nuk kemi ndonjë detyrim që t’i dhurojmë këto para për Butrintin. Ne mund t’i dhuronim këto para diku tjetër. Ne nuk kishim ndonjë detyrim kontraktor, që t’i dhuronim këto para në Butrint. Ne hartuam planin më të mirë për të mbrojtur Butrintin. Ia paraqitëm këtë plan qeverisë. Ajo bëri kërkimet e veta dhe mund t’iu them se ky proces ka zgjatur me vite të tëra, duke u marrë me analiza ligjore, historike e shumë të tjera, për t’u siguruar që është diçka që ia vlen për vendin dhe i takon qeverisë dhe jo Fondacionit nëse duan ta miratojnë planin ose jo. Në fillim të këtij procesi, ligji i parë që u miratua tre ose katër vite më parë ishte unanim, nuk kishte asnjë kundërshtim. Ky ligj përgatiti kornizën e asaj që po bëjmë ne tani. Ajo që po bëjmë tani është plotësimi i detajeve të strukturës bazë arkitekturore të ligjit, që u miratua unanimisht vite më parë.

Zëri i Amerikës: Cili do të jetë roli konkret i Fondacionit shqiptaro amerikan në menaxhimin e Butrintit?

Michael Granoff: Gjëja e parë është se ne do të jemi kontribues i madh kapitali për Butrintin. Ne do të dhurojmë 5 milionë dollarë për Butrintin, e cila bazuar në planin që kemi, është pothuajse dyfishi i shumës që qeveria do të dhurojë. Pra gjëja e parë që do të bëjmë është që do të jemi dhuruesit më të mëdhenj për Butrintin. Gjëja e dytë që do të bëjmë është që të sigurohemi se projekti të funksionojë në mënyrën e duhur. Do të jemi pjesë e bordit të menaxhimit, por ne nuk kemi në asnjë formë kontroll mbi këtë bord. Qeveria ka kontroll mbi bordin, qeveria emëron anëtarët e bordit dhe zgjedh se kë do të emërojë. Ne nuk kemi asnjë rol në emërimin e anëtarëve të bordit. Ne do të ulemi në atë bord që të sigurohemi që të mbrojmë investimin tonë dhe të përpiqemi që Butrinti të ruhet dhe të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo është një gjë që çdo donator i përgjegjshëm do ta bënte. Pozicioni që ne kemi në çështjen e Butrintit është i njëjtë me ato, që kemi në projektet e tjera. Si për shembull, një nga projektet më të mëdha që Fondacioni bën është Junior Achievement, i cili mundëson edukim monetar për fëmijët dhe ka ekzistuar për një kohë të gjatë. Pjesëmarrja e fëmijëve në Shqipëri ka qenë më shumë se në çdo vend tjetër të botës dhe arritjet kanë qenë të mrekullueshme. Aty ka një bord që drejton punën e Junion Achievement dhe ne jemi anëtarë të bordit. Arsyeja është që jemi kontributorë të mëdhenj, kemi shumë njohuri në këtë çështje dhe duhet të sigurohemi që projektet tona të jenë sa më të suksesshme. Kjo do të thotë që Butrinti nuk është një përjashtim nga çka është bërë deri tani, por është diçka që çdo donator i përgjegjshëm do të bënte. Që ky projekt të funksionojë nuk mund të realizohet vetëm. As Fondacioni dhe as qeveria nuk mund ta bëjnë të vetëm, sepse nëse qeveria do ta bënte vetëm nuk do të kishte nevojë për kapitalet tona. Por së bashku ne mund të bëjmë shumë gjëra që asnjëri nga ne nuk mund t’i bënte vetëm. Aspekti tjetër është atraksioni i kapitaleve të huaja. Kjo ishte një pikë e rëndësishme sepse për një kohë të gjatë nuk do të limitohen vetëm me kapitalin që ka mundësuar Fondacioni, edhe pse ne kemi dhuruar më shumë se 100 milionë dollarë në Shqipëri, pra një shifër e konsiderueshme, por jo e mjaftueshme me çfarë mund të ofrojë qeveria. Me kalimin e kohës ne duhet të krijojmë partneritete me institucione të tjera financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, UN, me shtete të tjera si Britania që ka interes për të investuar, si dhe organizata të tjera që ndajnë të njëjtat interesa si ne dhe kërkojnë mënyra për t’u përfshirë në projekte, të cilat nuk kanë vetëm synime shumë të mira, por dhe përfitime nga kjo. Njerëzit mendojnë se të dhurosh është biznes, kjo do të thotë që njerëzit duhet të shikojnë që donacionet janë aq efikase sa investimet që bëjnë në një bazë fitimprurëse. Ata duan të shikojnë rezultate. Përsa i përket Butrintit ne nuk jemi të interesuar vetëm për mbrojtjen e kësaj zone, por edhe si po veprojmë, a po i mbrojmë këto para, që po vijnë në Butrint. A është kjo zonë duke u hapur dhe zhvilluar në një kah të mirë, që njerëzit te vijnë ta vizitojnë, a po mbrohen këto artifakte, a po mbrohet zona përsa i përket çështjes së mjedisit? Pra ajo që të gjithë duam të shikojmë jo vetëm Fondacioni jonë por dhe gjithë investitorët anembanë botës, është të shikojnë këtë lloj përgjegjshmërie. Pra nëse fondacioni ynë ndihmon për të ofruar këtë lloj përgjegjshmërie, nuk do të jetë vetëm fakti që projekti do të zhvillohet më mirë por do të tërheqë edhe më shumë njerëz dhe institucione, të cilët do të punojnë me ne, do të ketë mundësi ta zhvillojmë dhe ta përshkallëzojmë këtë projekt në të gjithë vendin. Ky është qëllimi ynë. Nuk duhet të harrohet që ne jemi një organizatë e përhershme, pra ne nuk do të qëndrojmë deri për zgjedhjet e ardhshme. Unë personalisht kam ardhur në Shqipëri këto 27 vitet e fundit dhe kur flitet për 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro amerikane ndjehem i vjetër duke menduar që për çerekun e kësaj periudhe kam qenë në Shqipëri. Dhe puna jonë sapo ka filluar. Ky fondacion do të vazhdojë të funksionojë edhe kur unë dhe i gjithë stafi të mos jemi pjesë e tij, edhe kur të ketë udhëheqës të rinj politikë. Me shpresën që do të bëjmë një punë të mirë, ky fondacion do të jetë një ndihmë për Shqipërinë, dhe nëse e bëjmë këtë puna e fondacionit tonë do të konsiderohet si një sukses i madh.

Zëri i Amerikës: Plani i Menaxhimit të Butrintit, që u hartua së fundi, propozonte edhe heqjen e një pjese të zonës bredgetare të Ksamilit nga harta e Parkut Kombëtar të Butrintit (rreth 100-150 hektarë sipas Planit). Por qeveria shqiptare në janar vendosi të heqë rreth 800 hektarë nga zona e mbrojtur e Parkut dhe në këtë zonë tashmë është miratuar ndërtimi i një resorti. Sipas raporteve të shtypit shqiptar, qeveria është gati për të miratuar resorte të tjerë. A cënohet integriteti i Parkut Kombëtar nga rreziku që zonat natyrore përreth tij të përfshihen nga ndërtime të vrullshme?

Michael Granoff: Unë mund t’u qetësoj që zona, në të cilën ne do të luajmë një rol, nuk ka asnjë veprimtari tregtare dhe nuk do të ketë kurrë veprimtari tregtare, nuk do të ketë asnjë hotel në atë zonë, pra s’do të ketë veprimtari tregtare të asnjë lloji. E vetmja ndërtesë, që ne po planifikojmë të ndërtojmë, është qendra e vizitorëve. Qendra e vizitorëve është çelësi i çdo zone të trashëgimisë kulturore. Pra mund t’iu siguroj që nuk do të ketë asnjë veprimtari tregtare në asnjë nga zonat që ne do të jemi pjesë. Një pikë interesante që është ngritur nga disa njerëz që e kanë parë zonën është mjedisi, i cili falë efekteve të ngrohjes globale, do të kemi një rritje të nivelit të detit, sidomos rreth e qark Butrintit. Një ekspert i arkeologjisë ka bërë një parashikim që në 50 vitet e ardhshme 1/4 ose 1/3 e Butrintit do të jetë nën ujë. Pra gjëja për të cilën ne duhet të shqetësohemi është rritja e nivelit të detit, që e dëmton këtë zonë. Një nga gjërat që ne mendojmë të bëjmë është t’i sjellim këta ekspertë, që të na ndihmojnë për barrierat natyrale, që mund të ndërtojmë, me qëllim që uji të mos ndikojë në këtë zonë në të ardhmen. Ky është një shembull që tregon se me sa detaje po mendojmë për të ardhmen e Butrintit, dhe duam që kjo zonë të mos ketë prodhim karboni, duam të respektojmë mjedisin rreth Butrintit edhe në të ardhmen. Çfarë ndodh përtej kësaj nuk është pjesë e punës sonë dhe duhet të kujtoni se ne nuk jemi qeveria dhe ne nuk kemi kontroll mbi tokën në këtë vend, siç ne nuk mund të kontrollojmë nëse dikush do të ndërtojë në plazhin e Durrësit. Pra pyetjet që më bëtë për zhvillim tregtar jo në pjesën e Butrintit, ku ne jemi aktivë, është një pyetje shumë e mirë për qeverinë dhe është përgegjësi e qeverisë. Kjo është një pyetje lejitime për zonën e Butrintit, por jo në zonën, në të cilën ne do të jemi aktivë.