Enkelejd Alibeaj merr drejtimin e PD-së pas dorëheqjes së Bashës

20:21 | 21 Mars 2022
A Z

Nënkryetari i PD Enkelejd Alibeaj ka marrë drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. Alibeaj do të jetë kryetari i ri i Partisë Demokratike deri në zgjedhjet e reja.

Vendimin e ka njoftuar Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi përmes një njoftimi zyrtar ku nënvizon se nënkryetarja e partisë Jorida Tabaku ka hequr dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë dhe në këtë mënyrë në krye të saj do të jetë Alibeaj.

“Pasi jam njohur me deklaratën e Kryetarit të Partisë z. Lulzim Basha se ka vendosur të hedhë një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD për të ndihmuar në ringritjen e PD, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetarët e Partisë znj. Jorida Tabaku dhe z. Enkelejd Alibeaj, si dhe Kryetaren e Këshillit Kombëtar të PD znj. Arta Sakja. Në mbështetje të Statutit të Partisë dhe për të mos krijuar asnjë vakuum në drejtimin e Partisë në këtë moment të vështirë dhe specifik, kam konsultuar të dy Nënkryetarët me qëllim paraqitjen për zgjedhjen menjëherë nga Këshilli Kombëtar të komandimit të njërit prej tyre për drejtimin e Partisë.

Në takim kam marrë konfirmimin e Nënkryetares znj. Tabaku se heq dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë. Për pasojë, në përputhje me nenit 46 të Statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar z. Enkelejd Alibeaj”, thuhet në njoftimin e Bardhit.

Lulzim Basha dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë pas 9 vitesh në krye të saj pas mbledhjes që zhvilloi me Kryesinë, Grupin Parlamentar dhe Kolegjin e Kryetarëve. Dorëheqjen e tij, Basha e njoftoi përmes një deklarate publike për mediat në fillim të së cilës e pranoi se Partia Demokratike është në krizë të thellë dhe për këtë arsye ka vendosur që të dorëhiqet nga detyra e tij, për t’i hapur rrugë bashkimit të demokratëve. Basha tha se kjo nuk është tërheqje për rehati personale pasi ai nuk ka qenë kurrë për karrige, por një nxitje më shumë që betejën për një PD të së ardhmes.

Tashmë i dorëhequr nga funksioni i tij, Basha siguroi se do të japë kontributin e tij për të ndihmuar në ringritjen e PD-së. Në vijim të kësaj Basha tha se në PD duhet të zhvillohet një analizë e brendshme dhe më pas zgjedhje të reja.