Ekstradohet nga Anglia 36 vjeçari shqiptar

13:52 | 18 Shtator 2015
M. A.

Nga Zyra Qendrore Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Anglia, drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar Fatjon Kapri, 36 vjeç, banues në Cërrik/Elbasan. Policia bëri të ditur se ky shtetas është shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, më 16.04.2004, bazuar në vendimin nr.223, datë 23.12.2002, të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ku ky shtetas është dënuar me 22 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Sipas policisë, më datën 07.04.2001, rreth orës 22:30 në Londër, ka ndodhur vrasja e shtetasit shqiptar Y.P. Vrasja ka ndodhur si pasojë e një debati që ka patur me viktimën, ku fillimisht kanë shkëmbyer fjalë fyese me njëri-tjetrin dhe pas janë përballur fizikisht.

Pas goditjeve me grushta Fatjon Kapri ka nxjerrë thikën dhe ka goditur disa herë viktimën në trup. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Manchester, u bë i mundur arrestimi i tij, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale