Ekspozita me fotografitë e rralla të Mehmet Pashë Derrallës

22:49 | 24 Korrik 2018
M. A.

Krijuesi i ushtrisë së parë shqiptare, Mehmet Pashë Derralla, vjen përmes fotografive dhe dokumenteve për herë të parë për publikun përmes një ekspozite në Muzeun Historik Kombëtar, ku në mënyrë kronologjike paraqitet jeta e ministrit të parë të Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës.

Figura e Mehmet Pashë Derrallës kujtohet në 175 vjetorin e tij të lindjes në këtë ekspozitë kronologjike nga viti 1912 e deri në ditët e sotme.

“Janë fotografi që i kam grumbulluar prej shtatë vitesh. Po ashtu ka dokumente austriake, turke, sllavo-maqedonase dhe franceze”, ka thënë kuratori Arsim Zeneli, shkruan Top Channel.

Për rreth një javë, në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, publiku ka mundësi që të njihet nga afër me jetën e kësaj figure.

“Është e rëndësishme për shkak se në vitin 1912 nuk kishte dalje fotografike, për shkak se ishin të rrezikuar në trojet shqiptare dhe ai po organizonte ushtrinë, do të thotë Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Brendshmen. Është një figurë e lënë në harresë dhe ne sot, bashkë me Muzeun Historik Kombëtar, po i kthejmë kujtesën kombit tonë për shkak se Mehmet Pashë Derralla, por edhe familja e tij, dhanë gjithçka për Shqipërinë. Pranuan që të largohen nga Tetova dhe të humbisnin pasurinë, por nuk pranuan që Shqipëria të gjunjëzohej”, ka thënë Zeneli.

Pas kësaj ekspozite, kuratori Arsim Zeneli do të përgatisë materialin e plotë të cilin do t’ia dorëzojë Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllimin për ta rikthyer në vendin që i takon këtë pjesë të munguar të historisë.

Shpërndaje në rrjete sociale