E rëndë në Lezhë: Babë e bijë humbin jetën në aksident tragjik

08:22 | 26 Prill 2026
E.G

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Lezhë ku si pasojë kanë mbetur të vdekur babë e bijë.

Sipas informacioneve zyrtare të Policisë së Shtetit, të shtunën në mbrëmje në Komisariatin e Policisë Lezhë ishte paraqitur djali i shtetasit A. K., i cili ka kallëzuar se ka humbur kontaktet me babanë dhe me motrën e tij, të cilët ishin nisur për në punë me automjetin e tyre.

Policia ka bërë të ditur se në fshatin Gocaj, në afërsi të fabrikës së çimentos, në një rrugë dytësore, u gjet automjeti i tyre në një kanal me ujë.

Pas nxjerrjes së automjetit nga uji, rezultoi se në automjet ndodheshin pa shenja jete shtetasit A. K., 54 vjeç, dhe B. K., 20 vjeçe, transmeton Klankosova.tv.

Autoritetet dyshojnë se automjeti ka dalë nga rruga si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e tij nga ana e drejtueses së automjetit, shtetases B. K.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e shkakut të daljes nga rruga të automjetit dhe për dokumentimin e plotë ligjor.