Detaje nga plagosja me thikë e 2 adoleshentëve në Shkodër, shpallet në kërkim 17-vjeçari i dyshuar si autor

18:24 | 4 Prill 2026
Q L

Detaje të reja kanë dalë lidhur me plagosjen e dyfishtë me thikë, të ndodhur të premten në mbrëmje në qendër të qytetit të Shkodër, pranë shatërvanit.

Burime për Euronews bëjnë me dije se, pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe marrjes në pyetje të të plagosurve, policia ka arritur të identifikojë autorin, një 17-vjeçar me inicialet A.S., i cili është shpallur në kërkim.

Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive banale. Debati mes të rinjve ka nisur pas një konflikti të çastit për një fjalë goje dhe më pas ka degjeneruar në përplasje fizike me grushta dhe deri në përdorimin e thikës.

Më pas, 17-vjeçari i identifikuar si autor është afruar dhe ka goditur me thikë në shpinë dhe bark dy të rinjtë, Enis Prezen dhe Elio Shullani, të moshave 19 dhe 17 vjeç.

Të plagosurit morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim edhe një tjetër 17-vjeçar, i dyshuar si i përfshirë në konflikt.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.