Google ADS

Çfarë ndodhi në 4 minutat e grabitjes së “Neranxit”

13:35 | 18 Shkurt 2015
Arbresh Info

Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar të gjithë skenën e grabitjes së Neranzit në autostradën Tiranë-Durrës. Ora shënon 15.02 pas mesditës të së martës kur një automjet tip benz me ngjyrë gri dhe xhama të zinj hyn në oborrin  e kompanisë dhe menjëherë prej tij dalin dy persona. Njëri mban në dorë një shkop bejsbolli, ndërsa tjetri një armë tip kallashnikov. Me të zbritur nga makina dy grabitësit drejtohen menjëherë te roja i objektit që ndodhen në portën hyrëse dhe fillojnë ta dhunojnë fizikisht duke e detyruar të futet në kabinën e tij. Në të njëjtën kohë personi i tretë që ndodhet në automjetin tip Benz e pozicionon makinën me drejtim nga rruga.

Pas këtij momenti dy personat e maskuar hyjnë me vrap në ambientet e brendshme të godinës, duke terrorizuar personelin që ndodhej aty. Nga frika e ndonjë reagimit të dhunshëm, një pjesë e stafit që ndodhej në shërbim ulet poshtë banakut. Më pas grabitësit hyjnë për pak minuta në një prej dhomave në katin e parë të ndërtesës dhe dalin prej andej me një qese në duar. Të qetë ata vijojnë kontrollin në raftet e banakut, duke iu kanosur në një moment edhe personelit që ndodhej poshtë tij. Pasi sigurohen se në ambientet e brendshme nuk ka më para, ata largohen drejt automjetit që i pret në hyrje të oborrit, duke u larguar nga vendngjarja. Gjithë grabitja ndodhi në harkun kohor të 4 minutave.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë përreth biznesit në fjalë për të parë gjithë dinamikën e ngjarjes. Nuk dihet ende shuma e parave që është marrë nga arkat e kompanisë, por nga burime në vendngjarje mësohet se ajo nuk e kalon shumën e 1 milionë lekëve të vjetra.  Në pyetje janë marrë edhe punonjësit e firmës që u përballën me grabitësit. Biznesi i takon një ish-deputetit të LSI, Nikollaq Neranxi./lapsi.al/

Shpërndaje në rrjete sociale