Binaj: Do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet

20:50 | 3 Nëntor 2025
E.G

Kandidati i pavarur për bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka reaguar sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku u vendos rrëzimi i shkarkimit të kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.

Në një postim në rrjetet sociale, Binaj shprehet se “Tirana ka nevojë për ndryshim”. Ai thekson se do të jetë kandidat për të drejtuar bashkinë, kurdo që zgjedhjet të zhvillohen.

“Për mua dhe për qytetarët e Tiranës thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim. Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë”, tha ai.

“Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë këto ditë më kanë bindur se së bashku ne do t’ia dalim. Rrugëtimi ynë vazhdon. Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë”, përfundoi Binaj.

Gjykata Kushtetuese doli sot me një vendim për çështjen e Erion Veliajt, duke i dhënë të drejtë të vijojë detyrën si kryetar i bashkisë së Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar, gjykatësit kushtetues kanë vendosur 5 me 3 në favor të tij. Në këtë mënyrë rrëzohet vendimi i qeverisë që e shkarkonte nga posti pas propozimit që i kishte bërë këshilli bashkiak i Tiranës.

Dhënia e këtij vendimi do të thotë po ashtu se në kryeqytet nuk do të zhvillohen zgjedhje, duke e bërë edhe dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj të pavlefshëm./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale