Qyteti i Napolit në Itali, ka qenë ndalesa e radhës e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, me diasporën për ta sensibilizuar që të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, dhe për të votuar për PD-në dhe koalicionin opozitar.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Berisha nënvizoi faktin se kombi italian ka pritur valë të tëra emigrantësh shqiptar, të cilët ikën në kërkim të një jete më të mirë, nisur nga kushtet e vështira që po kalonte vendi ynë.
Sipas tij, Italia dhe Napoli kanë pritur në shekuj valë të emigracionit shqiptar, ndikuar nga pushtime të brendshëm e të jashtme, duke vlerësuar edhe kontributin e dhënë nga diaspora shqiptare në Itali.
Berisha ka theksuar se do të jetë diaspora që do të shpëtojë Shqipërinë me votën e saj më 11 maj.
“Po shkojmë drejt raundit të fundit të betejës sonë. Kanë mbetur edhe 50 ditë, të cilat janë vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kam deklaruar me bindjen më të thellë se ky vit është viti i diasporës shqiptare. Do të jenë shqiptarët nga jashtë ato që do të shpëtojnë Shqipërinë. Edi Rama prite diasporën se po vjen pasi u shkatërrove shqiptarëve liritë dhe riktheve censurën. Ti vare në litar TikTok-un, mjetin më modern të komunikimit të të rinjve dhe e bëre sepse nuk duroje kritikat e tyre. 11 maji është dita e tyre dhe fundi yt. Më 11 maj do vërshojnë nga deti dhe toka e ajri në Shqipëri. Shqiptarët i lindin nënat për të luftuar për liri, për t’i dalë zot Shqipërisë. Prite diasporën Edi Rama, nuk ke vend mbi tokë.”, tha Berisha.
Pesë vite pa taksa për diasporën
Berisha ka ftuar shqiptarët e diasporës që të investojnë pas 11 majit në Shqipëri, pasi qeveria e PD-së do të ofrojë klimën më të favorshme për të thithur investimet nga të huajt dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“5 vite pa asnjë taksë për të gjitha ata nga ju që do të vendosni të ktheheni në Shqipëri dhe të investoni atje. Shqipëria do të ketë klimën më të favorshme ndaj biznesit. Taksa 10% do të jeta e vetme në Shqipëri. Energjia do të jetë më e lirë se kudo në Evropë. Shqipëria do të jetë vendi më tërheqës për investimet e huaja dhe të shqiptarëve”, tha Berisha.
George Soros ‘non grata’
Gjatë fjalës së tij Berisha ka theksuar se pastrimi i shtëpisë, është kushti themelor që Shqipëria të rritet e të ecë drejt madhështisë.
“Ligji i dytë që do të bëjmë është shpallja e George Soros ‘non grata’. Kjo farë e keqe duhet të shkulet nga Shqipëria. Shteti do të mbështesë shoqërinë civile, që s’do të marri më instruksione perverse sorosiane, por do t’u mëkojnë parimet më të mira shqiptarëve. Pa audit të përgjithshëm nuk shkohet përpara. Shqipëria nuk ndërtohet dot mbi vese e mëkate, por mbi virtyte”, tha Berisha./rtsh.al
Në Zarë të Kroacisë shënohen Ditët e Kulturës dhe Rinisë Shq...
Sulm në aeroportin Heathrow në Londër, arrestohet një person...
Pas dy vitesh luftë ndizet sërish Pema e Krishtlindjes në Be...
Këndohet kënga e Shpat Kasapit, bëhet viral reagimi i banori...
Londrimi këshillon Labin për lojë: Mos i beso askujt këtu
Zhegrova është 100 përqind i gatshëm, pritet të ketë më shum...