Berisha: “Non grata” u shpall vendim i politizuar i administratës Biden

16:14 | 8 Maj 2025
D.H

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediet deklaroi sot shpallja e tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 2021 është vendim i “politizuar i administratës Biden”.

Duke iu referuar deklaratës së gazetarit amerikan Marc Caputo, i cili pretendon se sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Sali Berisha mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kreu i PD-së tha se ky “është lajmi në të cilin DASH i SHBA-së i drejtuar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shpreh qëndrimin e tij në përgjigjen e dhënë një gazetari të njohur, se ai nuk përkrah dhe nuk mbështet vendimet politike, apo qëndrimet politizuese të administratës së Biden, në këtë rast për Sali Berishën”.

Berisha thekson se “në këtë mënyrë DASH i jep përgjigjen më të fuqishme atyre përpjekjeve që u bënë për një Shqipëri pa opozitë nga Edi Rama në mendësinë e etërve të tij, Xhorxh Soros dhe Antoni Blinken”.

“Me këtë rast, unë falënderoj DASH, sekretarin Rubio, administratën e re dhe presidentin Trump për këto qëndrime jashtëzakonisht të rëndësishme, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të forcave antidemokratike, të majta në Shqipëri dhe kudo në botë”, thekson Berisha.

Sipas Berishës “ky vendim është gjithashtu një shpërblim i madh për të gjithë ata demokrate e demokratë që në kushtet më të pazakonta qëndruan për kauzën e drejtë, qëndruan për të vërtetën, e cila vonon, por nuk harron”.

Kreu i PD-së nënvizoi se “ky vendim nxjerr edhe njëherë para shqiptarëve dhe botës, fytyrën e shëmtuar të atyre që morën përsipër një akt të tillë, që vendimet politike të godisnin opozitën konservator në Shqipëri”.

Berisha tha se “non grata është konsideruar vendim politik, është dënuar, ky është dënim i atij vendimi”.

“Se është tjetër kur shqyrtohet dhe kjo apo ai qëndrim, por është shpallur; vendime të politizuara të administratës Biden, është pa ekuivok. Pra është e pashpresë”, tha Berisha. /atsh