Berisha imiton Trumpin: Do ketë vetëm dy gjini

15:46 | 29 Janar 2025
K.B

Me shpresën tek heqja e non-gratës, kryedemokrati Sali Berisha po kopjon në mënyrë identike Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në mbledhjen e parë me grupin parlamentar demokrat për këtë vit, Berisha shpalli prioritet kryesor të qeverisë së ardhshme të tij, një proces që e konsideroi DeSorozim të shoqërisë shqiptare, me dy ligje prioritare.

Njohja e vetëm dy gjinive në Shqipëri dhe dënimin e të gjithë atyre që flasin për Prindi 1 dhe Prindi 2.

‘’Ndaj dhe në detyrimin tonë si forcë politike është përgatitje e të gjitha akteve dhe ligjeve që sjellin desorosofikimin e Shqipërisë.

Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione.’’

Në vazhdën e këtij programi qeverisës ndërkombëtar, Berisha ka sulmuar edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit raportet ia vulos qeveria e kryeministrit Rama, duke paralajmëruar se do të ankohet tek të huajt.

‘’Ju them unë ju, kam informacione shumë të sakta se asnjë raport nga ky institucion nuk shkon pa u miratuar nga qeveria.

Nuk është vetëm një McGonigal. E ka Sergei Esenin: Sa mace ka kjo botë, vargut të tyre fundin nuk ia gjen dot.’’

Për tu rikthyer tek zgjedhjet parlamentare të 2025. Kryedemokrati po përgatitet për një fushatë jo të qetë. Fushata e tij do të karakterizohet nga zemërimi dhe mosbindja civile, për të përballuar sipas tij, krimin shtetëror elektoral të qeverisë aktuale.

‘’Përdorimi i shtetit elektoral për të dhunuar votën e shqiptarëve është një thirrje e brendshme për demokratët për mosbindje civile. Edi Rama nuk mund të grabisë kurrë këto zgjedhje. Ne jemi të përgatitur për një fushatë elektorale të ndryshme, të qetë, të drejtë, të konkurrojmë me alternativë. Por në qoftë se ai shpalos shtetin elektoral, ne do shpalosim zemërimin e qytetarëve kundër shtetit elektoral.’’

Edhe pse vetë akuzohet për korrupsion pasiv nga SPAK, Berisha tha se korrupsionin do e shpallë krim të rëndë e nuk do e amnistojë. Kjo pritet të shihet, se sa do e mbajë fjalën kryedemokrati për veten e tij, apo do të jetë një hakmarrje politike për kundërshtarët e tij./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme