Presidenti Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen e tij të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si shembull të bashkëpunimit rajonal dhe partneritetit strategjik.
Kreu i shtetit shqiptar e cilësoi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit si një arritje historike për Maqedoninë e Veriut dhe për stabilitetin në rajon.
“Shqipëria vlerëson si historike Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Zbatimi i plotë i ligjit për gjuhën shqipe dhe ruajtja e funksionimit të mekanizmave të barazisë janë elementë thelbësorë për kohezionin social, stabilitetin institucional dhe perspektivën evropiane të vendit”, u shpreh Presidenti Begaj.
Ai theksoi se çdo vendimmarrje e balancuar dhe gjithëpërfshirëse mbetet zgjidhja më e mirë dhe thelbi i besimit mes komuniteteve.
Presidenti Begaj nënvizoi se integrimi në Bashkimin Evropian është projekt i përbashkët dhe drejtim strategjik për të gjithë rajonin.
“Për ne është i rëndësishëm integrimi. Objektivi ynë strategjik është të përmbyllim kapitujt deri në vitin 2027 dhe të bëhemi pjesë e BE-së deri në vitin 2030”, deklaroi ai, duke shtuar se avancimi euroatlantik i rajonit mbetet prioritet i përbashkët.
Begaj theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende fqinjë, partnere të besueshme dhe aleate në NATO. Gjatë takimit, sipas tij, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe intensive mes dy vendeve, si dhe përkushtimi për të çuar më tej bashkëpunimin dypalësh në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Ai përmendi edhe marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik. “Vendi juaj konsiderohet partner i rëndësishëm ekonomik, me rritje të flukseve tregtare, veçanërisht në fushën e turizmit dhe transportit”, tha Begaj.
Presidenti evidentoi se ka ende shumë mundësi të pashfrytëzuara, ndërsa vlerësoi rezultatet konkrete të arritura përmes projekteve të përbashkëta, si njohja e kualifikimeve akademike, lehtësimi i kalimeve kufitare dhe projektet infrastrukturore e energjetike.
Një vëmendje të veçantë Presidenti Begaj i kushtoi Korridorit VIII, të cilin e cilësoi simbol të një epoke të re bashkëpunimi.
“Duhet të thellojmë bashkëpunimin politik, ekonomik e shoqëror dhe të krijojmë sinergji të reja në energjinë e gjelbër, ekonominë digjitale dhe ndërlidhjen infrastrukturore. Korridori VIII nuk është vetëm një rrugë transporti, por edhe një korridor energjetik dhe sigurie evropiane që lidh Mesdheun me Detin e Zi, duke i vendosur vendet tona në zemër të këtij aksi strategjik”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar ata si shtetndërtues dhe kontribuues konstruktivë në jetën demokratike të vendit.
“Faktori shqiptar është kyç për stabilitetin politik, qeverisjen dhe avancimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi ai.
Në përmbyllje, Begaj vlerësoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe maqedonasit në Shqipëri përbëjnë një urë të fortë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve, duke forcuar më tej lidhjet tradicionale dhe perspektivën e përbashkët evropiane./rtsh
Gjykata Supreme lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan ...
Kurti pret drejtuesit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të...
“Thuaji, s’i ke parë kurrë”, prokuroria shfaq në ekran përgj...
“Shkurt, po, jo, mos filozofo” – ZPS zbardh 9 përgjime të Th...
Policia e Kosovës sqaron dhe mohon lajmet e rreme për të sht...
Një muaj paraburgim për dy punonjës të KEDS-it të dyshuar pë...