Arben Kingji vizitë zyrtare në Rumani, fokus bashkëpunimi në NATO

17:07 | 28 Mars 2026
E.K

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, zhvilloi një vizitë pune në Rumani, ku vizitoi Komandën e Korpusit Shumëkombësh Juglindor (HQ MNC-SE).

Gjatë vizitës, Kingji u njoh me rolin dhe kontributin e kësaj komande në Krahun Lindor të Aleancës, duke theksuar bashkëpunimin shumëkombësh dhe mbrojtjen kolektive.

“Në vijim të vizitës, pata mundësinë të zhvilloj një takim me Shefin e Shtabit të Korpusit, Gjeneralmajor Costantin Nicolaescu dhe komandantin e Grup-Batalionit të Forcave të Përparuara Tokësore, Kolonel Florian De La Tousche”, ka shkruar ai në facebook.

Në përfundim të vizitës, Kingji falënderoi Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Rumune, Gjeneral Gheorghiță Vlad, për mikpritjen, duke riafirmuar angazhimin për rritjen e bashkëpunimit dhe kontributin e Forcave të Armatosura të dy vendeve për paqe, siguri dhe stabilitet rajonal.

Shpërndaje në rrjete sociale