Këshilli i Europës i ka bërë thirrje Shqipërisë të forcojë përpjekjet në luftën kundër pastrimit të parave dhe të konfiskojë pasuritë që burojnë nga krimi i organizuar.
Përmes një raporti të posaçëm të përpiluar nga Komiteti kundër pastrimit të parave, “Moneyval”, KiE e ka vendosur Shqipërinë në listën e vendeve me mbikëqyrje të thelluar për pastrim parash.
“Korrupsioni përbën një risk të madh për pastrim parash në Shqipëri, që shpesh është i lidhur me krimin e organizuar. Autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë risk, por deri tani, zbatimi i ligjit i ka dhënë vëmendje të kufizuar targetimit të parave që vijnë nga korrupsioni”.
Autoriteti që koordinon luftën kundër pastrimit të parave në Shqipëri është Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
Sipas “Moneyval”, kjo drejtori përdor një sërë burimesh informacioni, mbi bazën e të cilave kryhen shumë hetime për pastrim parash. Por, këto hetime prodhojnë pak rezultate konkrete edhe për shkak të punës së dobët nga organet e drejtësisë.
“Hetimet, rrallë rezultojnë në ndjekje penale ose konfiskim të aseteve të krimit, e shpeshherë pezullohen nga Prokuroria”.
Sipas të dhënave zyrtare, në 5 vitet e fundit asetet e konfiskuara nga aktivitetet kriminale kanë shënuar rritje të ndjeshme. Por, sipas raportit të “Moneyval”, sërish asetet e konfiskuara nga qeveria nuk janë në përpjestim me nivelin e kriminalitetit në vend.
Ndaj, Këshilli i Europës i ka bërë thirrje qeverisë që të forcojë luftën kundër pastrimit të parave dhe financiamit të terrorizmit.
Kelmendi do të ankohet ndaj vendimit të Themelores që refuzo...
Shqipëria ndaloi 51 ton misër nga Serbia, konstatohet prani ...
Kurti: Mbi 12 milionë euro për transformimin e tërësishëm të...
13-vjeçari ther me thikë një 19-vjeçar pas një përleshje në ...
Rizvanolli: Kosova nuk ka importuar rrymë nga EFT gjatë qeve...
Ambasadori i ri gjerman viziton Mitrovicën e Veriut, thotë s...