Google ADS

Me 200 km/orë “kamikazi” i rrugës u merr jetën dy personave dhe arratiset

21:54 | 22 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Shpejtësia e madhe e makinës “Mercedez-Benz”, që drejtohej nga Fatjon Zhaporja, dyshohet se është shkak i aksidentit tragjik të ndodhur pak para mesnatës së të mërkurës, ku vdiq 23-vjeçarja Elena Avdillari dhe taksisti Bujar Agalliu.

Sipas burimeve të policisë viktima po kthehej nga Porti i Durrësit, në drejtim të Tiranës, pasi nuk kishte mundur të udhëtonte drejt Italisë për mungesë në dokumente.

Por në këtë vend, afërsi të Maminasit, makina e saj u godit nga një mjet që udhëtonte me mbi 200 km në orë. Ky është qëndrimi i hetuesve të policisë rrugore deri më tani nga hetimet e para në lidhje me aksidentin.

Të njëjtin version japin edhe dëshmitarë të ndryshëm që thonë jashtë kamerave se automjeti “Mercedez Benz”, që drejtohej nga Fajton Zhaporja po udhëtonte me shpejtësi të lartë nga Durrësi në drejtim të Tiranës.

Aksidenti nisi rreth 30 metra larg nga hyrja e karburantit. Më pas makinat u përplasën me këtë bordurë dhe me tabelën reklamuese. Pasi kanë fluturuar në ajër për disa metra duke u rrotulluar, të dyja makinat kanë përfunduar pikërisht në godinën e njësisë tregtare ku ndodhej i parkuar edhe një ekskavator.

Goditja nga pas e taksisë qe aq e fortë, sa çdo gjë u kthye në një grusht hekurishtesh.

Menjëherë pas aksidentit drejtuesi i mjetit braktisi makinën duke u larguar në këmbë. Policia shpalli në kërkim atë. Ky është aksidenti i dytë me pasoja të rënda për shkak të shpejtësisë në rrugët e vendit.

Të dielën në mbrëmje në rrugën Velipojë- Shkodër, përplasja e dy mjeteve vrau babain me tre fëmijët e tij si dhe tre të tjerë u plagosën rëndë./Tv Klan/

Shpërndaje në rrjete sociale