17-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Begaj: Mbetemi të palëkundur në përkushtimin për të qenë faktor stabiliteti dhe sigurie

08:35 | 1 Prill 2026
E.K

Presidenti Bajram Begaj, përkujtoi sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale 17-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si një arritje historike që ka forcuar sigurinë, sovranitetin dhe rolin e saj në aleancën Euroatlantike.

Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Shqipërisë si një aleate e denjë në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të vendit në misionet dhe operacionet e Aleancës.

Në këtë kontekst, Begaj shprehu krenarinë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë kontribuar me dinjitet krah aleatëve kudo sa herë dhe ku është kërkuar kontributi i tyre.

Presidenti theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një faktor stabiliteti dhe sigurie dhe se krah aleatëve të saj ajo do të vijojë të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë.