Yll Limani sivjet nuk do të performojë në klube

22:03 | 15 Janar 2026
R J

Artisti Yll Limani ka vendosur që gjatë vitit 2026 të mos realizojë performanca në klube, ka bërë të ditur Three60 Music.

Sipas njoftimit, ky vendim vjen si rezultat i një reflektimi të thellë artistik dhe krijues, dhe nuk përfaqëson largim nga muzika apo nga skena që e ka ndërtuar karrierën e tij ndër vite.

Klubet kanë qenë dhe mbeten një pjesë thelbësore e historisë së Yll Limanit, hapësira ku muzika e tij është rritur, është ndarë dhe është përjetuar ngushtë me publikun”, thuhet në njoftim.

Three60 Music sqaron se kjo pauzë është një moment për fokus dhe përgatitje për projekte që kërkojnë kohë dhe një formë tjetër prezantimi artistik:

“Ky vendim nuk është fund, por tranzicion. Jo distancim nga publiku, por përgatitje për një takim ndryshe. Jo ndalim, por një frymëmarrje e re krijuese”, theksohet në njoftim.

Njoftimi gjithashtu thekson se Yll Limani dhe Three60 Music po punojnë në zhvillimin e formateve dhe projekteve të ardhshme, të cilat do të komunikohet në kohën e duhur.

“Falënderojmë publikun, partnerët dhe gjithë skenën muzikore për mbështetjen e vazhdueshme, mirëkuptimin dhe energjinë e dhënë ndër vite. Ky është fillimi i një etape të re artistike,” përfundon njoftimi.

Shpërndaje në rrjete sociale