Google ADS

Tularemia, infeksioni i kaluar nga kafshët shtëpiake

15:50 | 4 Mars 2015
Arbresh.info

Tularemia është një sëmundje infektive, e cila merret nëpërmjet kontaktit me kafshët e sëmura, kryesisht ato shtëpiake si qentë, dhentë, lepujt, etj. Identifikimi i shpejtë i kësaj sëmundjeje shpesh herë shfaqet i vështirë. Shkak për këtë bëhet ngjashmëria e simptomave që ka me gjendjet gripale të stinës. Por, më pas dalja e njollave të ngritura në lëkurë, që theksohen në ngjyrë, si dhe shndërrimi i tyre në formë ulcerash të qelbëzuara tregon se bëhet fjalë pikërisht për këtë sëmundje. Raste të shumta të kësaj sëmundjeje janë evidentuar gjatë muajve të fundit në Kosovë, ndërsa autoritetet e shëndetit publik në vendin tonë sqarojnë se nga analizat e kryera, deri më tani nuk rezulton që sëmundja të ketë përhapje shqetësuese në vend. Megjithatë, këshillojnë që të bëhet kujdes, veçanërisht në blerjen dhe konsumin e produkteve të mishit, apo kontakteve të përditshme me kafshët. Për “Dita”, mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon se cilat janë format e transmetimit të këtij infeksioni, si dhe simptomat që e shoqërojnë. “Marr shkas për të trajtuar këtë sëmundje nga përhapja që ka pasur kohët e fundit në disa zona të Kosovës. Kjo sëmundje është e përhapur në të gjithë botën, por kryesisht në Amerikën e Veriut, në një pjesë të Evropës dhe të Azisë. Tularemia është një sëmundje ngjitëse e shkaktuar nga një bacil shumë i vogël i quajtur “Pasteurela Tularensis”. Ky bacil në mjedisin e jashtëm, sidomos ndaj të nxehtit dhe substancave dezinfektuese është pak rezistent, ndërsa në temperatura të ulëta reziston për një kohë më të gjatë”, vë në dukje mjekja Xhelili.

 

Cili është burimi i infeksionit dhe si zhvillohet sëmundja?

Si burim infeksioni shërbejnë brejtësit (minjtë), lepujt, qentë, dhelprat, etj. Por, rëndësinë më të madhe epidemiologjike e kanë kafshët shtëpiake si dhentë, dhitë, lopët etj, me të cilat njeriu është në kontakt.

Si transmetohet infeksioni?

Infeksioni i transmetohet njeriut nga kafshët e sëmura me rrugë të ndryshme. Kontakti i drejtpërdrejtë realizohet duke rrjepur lëkurën e kafshëve kur ato janë të sëmura. Në këtë rast bacili depërton jo vetëm nëpërmjet lëkurës së dëmtuar, por arrin të depërtojë edhe kur ajo është pa dëmtime. Shpesh herë infektimi ndodh kur përdorim ushqime të ndotura me fekalet e kafshëve të sëmura, kur mishi i tyre përdoret i papërpunuar mirë, ose kur është kontaminuar (infektuar) uji. Në këto kushte infeksioni ka mundësi të hyjë në organizëm edhe nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes duke thithur pluhurin, i cili përmban shumë mikrobe. Përveç këtyre rrugëve që përmendëm, ka edhe mënyra të tjera infektimi siç është ajo nëpërmjet pickimit të këpushave dhe mushkonjave. Transmetimi i sëmundjes nga njeriu te njeriu deri më sot nuk është provuar. Meqë kjo sëmundje takohet më tepër te gjuetarët, kasapët, kuzhinierët, etj, deri diku mund të quhet edhe sëmundje profesionale. Bacili i tularemisë kur futet në organizmin e njeriut nëpërmjet lëkurës, në portën e hyrjes shkakton ndryshime karakteristike. Këto ndryshime fillojnë me një papul (një njollë e kuqe e ngritur mbi lëkurën normale) e cila shndërrohet në ulcer (papula gropëzohet) e rrethuar me një zonë të skuqur. Nga vendi i hyrjes me anën e rrugëve limfatike, pasteurela kalon në nyjet limfatike të afërta, ku shumëzohet dhe prej këtej kalon në gjak. Pikërisht nëpërmjet rrymës së gjakut përhapet në formë vatrash në organe të ndryshme si shpretkë, mëlçi, mushkëri etj. Nyjet limfatike zmadhohen, bëhen të dhimbshme, por edhe mund të qelbëzohen. Është vënë re se pasteurelat gjenden në nyjet limfatike edhe shumë ditë pas shërimit të sëmundjes.

Cilat janë shenjat klinike të kësaj sëmundjeje?

Periudha e inkubacionit (koha që nga infektimi me mikrobin e deri në shfaqjen e shenjave klinike) mund të shkojë nga 3 deri në14 ditë, mesatarisht shtatë ditë. Në përgjithësi fillimi është i menjëhershëm, me temperaturë të lartë, e cila shoqërohet me të dridhura, djersë të shumta, të përziera, të vjella, dhimbje koke, dhimbje muskulare dhe dhimbje kyçesh. Tensioni arterial ulet dhe rritet frekuenca e zemrës (takikardi). Kur porta e hyrjes është lëkura, siç e theksova edhe më lart karakteristikë është formimi i papulës. Por, porta e hyrjes mund të jenë edhe sytë, formë kjo e cila manifestohet me skuqje të syve, dhimbje, lotim, ënjtje të qepallave (edemë) dhe fotofobi (nuk e durojnë dot dritën). Ndonjëherë në anën e brenshme të kapakëve të syrit mund të vihen re edhe gropëzime, të cilat më vonë ulcerohen. Kur, si portë hyrjeje shërben aparati tretës dominojnë të vjellat, dhimbja e barkut dhe diarrea.

Nëse infeksioni merret në rrugë aerogene, me çfarë simptomash të dukshme shoqërohet?

Kur infeksioni merret në rrugë aerogene mund të kemi bronkopneumoni masive të shkaktuara nga bacili. Të sëmurët kanë kollë me sputum me gjak ose me qelb (gëlbazë me gjak dhe qelb) që përmbajnë pasteurela me shumicë, dispne (vështirësi në frymëmarrje), cianozë (nxirje kryesisht e buzës dhe ekstremiteteve), si edhe dhimbje gjoksi. Sëmundja zakonisht zgjat dy deri në tre javë, por tek i sëmuri për një kohë të gjatë mbetet një dobësi e theksuar. Në rastet kur sëmundja nuk mjekohet si duhet, konvaleshenca (periudha e marrjes së vetes) mund të zgjasë tre deri në gjashtë muaj.

Me çfarë ndërlikimesh shoqërohet tularemia?

Edhe pse të rralla, sëmundja mund të japë ndërlikime në mushkëri, zemër dhe në tru. Pas kalimit të tularemisë si rregull, krijohet një imunitet i qëndrueshëm, por janë vënë re edhe prezantime të kësaj sëmundjeje për herë të dytë. Mjekimi në ditët e sotme i tularemisë konsiderohet i suksesshëm, në mënyrë të veçantë kur fillohet që në fillimet ë sëmundjes.

Cilat janë masat parandaluese?

Baza e parandalimit qëndron në radhë të parë në zbulimin e vatrës së infeksionit, si edhe në diagnostikimin e hershëm të të sëmurit. Për këtë qëllim luftohet për zhdukjen e burimit të infeksionit, pra të brejtësve e të kafshëve të infektuara. Personat që kanë profesione, të cilat janë më të rrezikuara duhet të jenë më të kujdesshëm. Ata duhet të mbajnë gjatë punës doreza, syze e maska. Produktet ushqimore dhe uji duhet të jenë të mbrojtura mirë që të mos infektohen. Rëndësi të madhe ka edhe përpunimi i mirë i ushqimit (kryesisht i mishit). Për personat që janë më të ekspozuar dhe kanë mundësi të mëdha për t’u infektuar (përfshirë edhe punonjësit e laboratorëve) duhet të vaksinohen me një vaksinë të posaçme. Kujdes maksimal duhet treguar edhe me vaksinimin dhe higjienën e kafshëve shtëpiake. Kjo në mënyrë që të mos rrezikojnë kalimin e këtij infeksioni. Ndërkohë që edhe higjiena personale e personave që mbajnë në ambientet e tyre kafshë shtëpiake duhet të jetë e vazhdueshme, veccanërisht në drejtim të larjes së duarve pas kontaktit të pasur me kafshën.

Shpërndaje në rrjete sociale