Të përzierat dhe vjellja e mëngjesit: shkaqet dhe kur duhet të shqetësoheni

23:13 | 8 Gusht 2025
Q L

Nga ndryshimet hormonale te problemet me tretjen, ja faktorët më të zakonshëm që mund të fshihen pas nauzesë së mëngjesit

Nëse sapo keni hapur sytë dhe ndjeni përzierje ose keni nevojë të villni, pa e ditur shkakun, kjo mund të lidhet me disa faktorë shëndetësorë ose jetësorë. Mjekët theksojnë se simptomat e mëngjesit shpesh janë tregues të një gjendjeje themelore që meriton vëmendje, sidomos nëse përsëriten.

Sipas mjekes së përgjithshme dr. Sonal Shah, ndjesia e përzierjes në mëngjes mund të lidhet me mungesën e gjumit, ankthin, ushqyerjen e parregullt apo gjendje të tjera fiziologjike.

1. Dehidratimi

Trupi përbëhet kryesisht nga ujë dhe çdo mungesë e tij reflektohet shpejt në shëndet. Dhimbjet e kokës, lodhja dhe të përzierat gjatë zgjimit janë shpesh sinjale të humbjes së tepërt të lëngjeve. Dietologia Eisling Moran thekson: “Të përzierat dhe të vjellat mund të krijojnë një cikël të mbyllur me dehidratimin, një gjendje që jo vetëm shkaktohet nga humbja e lëngjeve, por edhe e përkeqëson atë”. Një gotë ujë menjëherë pas zgjimit mund të ndihmojë në thyerjen e këtij cikli.

2. Lodhja dhe mungesa e gjumit

Mungesa kronike e gjumit çrregullon ritmet cirkadiane dhe shkakton rraskapitje, e cila mund të manifestohet me të përziera. Gjumi i pamjaftueshëm ndikon gjithashtu në sistemin nervor, duke rritur irritueshmërinë, ulur përqendrimin dhe ngadalësuar tretjen, një kombinim që e bën më të lehtë shfaqjen e simptomave në mëngjes.

3. Ankthi dhe stresi

Ankthi është një shkak i zakonshëm i nauzesë së mëngjesit, sidomos kur shoqërohet me ndryshime hormonale. Anxiety UK raporton se rreth 98% e grave përjetojnë ankth gjatë menopauzës, për shkak të luhatjeve të estrogjenit, progesteronit dhe kortizolit. Stresi aktivizon sistemin nervor simpatik, gjë që ngadalëson tretjen dhe mund të shkaktojë të përziera.

4. Hipoglikemia (sheqeri i ulët në gjak)

Kur niveli i glukozës bie nën normë, trupi nuk ka mjaftueshëm energji për proceset bazë, duke përfshirë funksionin e trurit. Kjo gjendje prek kryesisht personat me diabet që marrin insulinë, por mund të ndodhë edhe tek të tjerët pas periudhave të agjërimit, konsumit të tepërt të alkoolit ose ushqyerjes së pamjaftueshme në darkë. Simptomat përfshijnë djersitje, dridhje, konfuzion dhe përzierje, transmeton Telegrafi.

5. Çekuilibri hormonal

Kortizoli, i njohur si “hormoni i stresit”, natyrshëm është më i lartë në mëngjes, por nivelet jonormale mund të shkaktojnë të përziera. Dietologia Claire Barnes shpjegon se çekuilibri i hormoneve ndikon drejtpërdrejt në tretje, oreks dhe gjendjen emocionale. Përveç kortizolit, edhe hormonet e tiroides, progesteroni dhe estrogjeni mund të luajnë rol.

6. Kapsllëku dhe çrregullimet e tretjes

Kapsllëku i zgjatur shkakton grumbullim toksinash dhe gazrash në zorrë, duke ushtruar presion në stomak e duke rritur gjasat për nauze. Konsumi i tepërt i alkoolit mund të përkeqësojë situatën duke irrituar mukozën e stomakut dhe zorrëve. Profesori David Nut thekson se simptomat mund të variojnë nga fryrja e barkut deri tek të vjellat e mëngjesit.

7. Refluksi gastroezofageal (GERD)

Kur acidi i stomakut ngjitet drejt ezofagut, krijon ndjesi djegieje, shije të thartë dhe, në disa raste, të përziera. Teoritë më të reja sugjerojnë se shpesh nuk është teprica, por mungesa e acidit në stomak që shkakton këto simptoma. Nivelet e ulëta të acidit mund të dobësojnë tretjen dhe përthithjen e vitaminave e mineraleve si B12, folatet, hekuri, magnezi dhe zinku, duke ndikuar indirekt në ekuilibrin hormonal dhe mirëqenien e përgjithshme.

8. Shtatzënia

Të përzierat e mëngjesit është ndër shenjat më të hershme të shtatzënisë. Rreth 80% e grave përjetojnë nauze dhe/ose të vjella në tremujorin e parë, më shpesh ndër javën e katërt dhe të nëntë. Edhe pse nuk është e rrezikshme në shumicën e rasteve, nauza e rëndë e shtatzënisë (hyperemesis gravidarum) kërkon vlerësim mjekësor.

Kur duhet të shqetësoheni?

Nëse të përzierat e mëngjesit shoqërohen me humbje peshe të pajustifikuar, dhimbje të forta barku, të vjella me gjak ose marramendje të theksuar, është e rëndësishme të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Shkaqet mund të variojnë nga çrregullime të lehta të tretjes deri tek gjendje serioze që kërkojnë trajtim të shpejtë. /Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme