Prishtina pritet të bëhet me spital rajonal

21:40 | 7 Maj 2015
M. A.

Gjatë mandatit të kryeministrit Mustafa, Prishtina pritet të bëhet me një spital rajonal.

Ndërtimi i spitalit të Prishtinës është njëri ndër prioritetet kryesore për nivelin dytësor të shëndetësisë në planin qeverisës të Mustafës.

Mirëpo, këtu nuk janë përfshirë edhe qytetet tjera, të cilat nuk kanë spitale si Lipjani, Fushë Kosova, Obiliqi e Drenasi, raporton KTV.

Ish-drejtoresha e shëndetësisë në Prishtinë, Nazane Breca, thotë se atëherë ishte caktuar edhe lokacioni për këtë spital, por që më pas kjo ide nuk u jetësua për shkaqe ligjore.

Sipas kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, duhet të merret vendim nëse ky spital duhet të vendoset në kuadër të ligjit të Prishtinës dhe të jetë kompetencë e komunës apo të menaxhohet nga ShSKUK-ja.

Derisa Prishtina të bëhet me spital rajonal, mjekët në QKUK do të vazhdojnë të përballen me problemin e referimit të pacientëve, ku ata do të vazhdojnë të kryejnë vizita te pacientët, të cilët janë referuar direkt nga niveli parësor në atë terciar.

Shpërndaje në rrjete sociale