Gjermania lejon përdorimin e kufizuar të psilocibinës për pacientët me depresion rezistent ndaj trajtimit

10:11 | 1 Gusht 2025
Gita

Gjermania do të lejojë përdorimin e psilocibinës – substancës halucinogjene që gjendet te kërpudhat “magjike” – për një numër të kufizuar pacientësh me depresion të rëndë që nuk kanë përfituar nga trajtimet standarde.

Kjo është hera e parë në Bashkimin Evropian që psilocibina do të përdoret përmes një programi të përdorimit me dhembshuri, i cili u jep akses pacientëve me sëmundje të rënda në barna ende të paaprovuara, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.

Sipas Institutit Qendror për Shëndetin Mendor (CIMH), psilocibina do të përshkruhet vetëm në “raste të jashtëzakonshme të arsyetuara”.

Dr. Gerhard Gründer nga CIMH e cilësoi vendimin si një hap me rëndësi të madhe, që “zgjeron mundësitë tona të veprimit”. Ai theksoi se terapia me psilocibinë, nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore, mund të jetë një opsion i justifikueshëm etikisht dhe mjekësisht.

Studimet kanë treguar se psilocibina mund të ndihmojë pacientët duke nxitur lidhje të reja ndërmjet rajoneve të ndryshme të trurit dhe duke reduktuar përqendrimin e tepruar në vetvete.

Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se ripërsëritja e rezultateve nga studimet me psikedelikë është sfiduese.

Interesi për terapitë psikedelike po rritet në të gjithë Evropën.

Çekia së fundi legalizoi përdorimin mjekësor të psilocibinës, ndërsa në BE ka nisur edhe prova të financuara për përdorimin e saj në trajtimin e ankthit dhe depresionit te pacientët me sëmundje progresive si skleroza multiple dhe ALS.

Në Gjermani, miratimi i plotë i psilocibinës pritet të kërkojë disa vite, por programet e përdorimit me dhembshuri, sipas organizatës PAREA, ofrojnë shpresë për ata pacientë që nuk mund të presin.

Të ngjashme