Google ADS

Diabeti në Ferizaj kap 9 % të popullsisë

21:08 | 10 Mars 2015
Arbresh.info

Qendra diabetike në Ferizaj, mëton të bëhet qendër kryesore e diabetikëve për tërë Kosovën. Kështu u vlerësua në një takim që kreu komunal, Muharrem Svarqa e zhvilloi me përfaqësues të Fondacionit Botëror të Diabetit dhe atyre të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj. Svarqa shtoi se në këtë rrafsh do të përkrahin çdo nismë për trajtim të pacientëve me diabet.

“Udhëheqësit e Fondacionit Botëror të Diabetit zonjat e nderuara Metier dhe Suzane, në mesin e të cilëve edhe menaxheri për Kosovë, konfirmuan bashkëpunimin që do të vazhdojë në kuadër të të gjitha projekteve që kanë të bëjnë me diabetin dhe me përkrahjen konkrete të të gjitha programeve, e që ka kaluar kështu si një pretendent për t’u shndërruar në një qendër diabetike për tërë Kosovën”, tha i pari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.

Ky fondacion ka investuar kohë më parë në dy qendra të mjekësisë familjare. Se këto dy qendra i kanë shfrytëzuar mirë investimet në favor të trajtimit të duhur të diabetikëve, theksoi edhe koordinatorja e programit nga ky fondacion.

“Ju i keni arsyetuar investimet që ne i bëmë kohë më parë në dy qendra të mjekësisë familjare në Ferizaj. Vetëm dëshiroj që të avancohet edhe më tej sistemi i edukimit, të ndryshohet stili i jetesës dhe të kihet parasysh të ushqyerit shëndetshëm”, tha koordinatorja e programit, Susanne Brixtofte Olejas.

Menaxheri i këtij fondacioni në Kosovë, Luan Gola tha se edhe në të ardhmen do të mbështeten nismat e projekteve nga kjo qendër shëndetësore në Ferizaj.

Dy qendrat diabetike në Ferizaj, njëra për edukim dhe tjetra për trajtim, ka vite që janë hapur dhe në to marrin trajtime ditore dhjetëra pacientë. Ndërkaq sipas statistikave të këtyre qendrave rreth 9 për qind e Ferizajasve vuajnë nga sëmundja e diabetit. /KosovaPress/

Shpërndaje në rrjete sociale